Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar këtë të premte një takim me një përfaqësi të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”.
Përmes një postimi në facebook, kreu i PL shpreh mirënjohjen për angazhimin e palodhur të Vatrës, për të mbrojtur dhe promovuar identitetin kombëtar evropian dhe për të mundësuar pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në reagimin e tij Meta zbulon se në takim u ndanë ide të çmuara për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe diasporës.
POSTIMI I PLOTË
I lumtur të mirëprisja sot në një takim vëllazëror një përfaqësi të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, z.Mondi Rakaj, z.Tasim Ruko dhe z.Mersin Gjini, të cilët i falenderova edhe njëherë për pritjen shumë të ngrohtë në Neë York ku festuam së bashku 110-vjetorin e themelimit të saj.
Mirënjohje angazhimit të palodhur dhe përpjekjeve shekullore të vatranëve për të shpëtuar kombin shqiptar, mbrojtur dhe promovuar identitetin tonë kombëtar europian, mundësuar pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe përshpejtuar proceset tona demokratizuese dhe integruese.
Ndamë shumë ide të çmuara për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe diasporës tonë në SHBA, për të qenë pjesëmarrës shumë më aktivë dhe vendimmarrës në zhvillimet e vendit tonë.