Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi ka vizituar të shtunën dy ushtarakët shqiptarë, të cilët u lënduan si pasojë e një sulmi me sprej kimik nga tre shtetas të huaj në fabrikën e armatimit në Gramsh.
Ai me këtë rast ka zhvilluar një bisedë me dy ushtarakët, për të cilët ka shprehur mirënjohje që sakrifikuan për të ruajtur një objekt strategjik sikurse fabrika e Gramshit, dhe njëherësh u ka uruar shërim të shpejtë.
“Bisedova me ta dhe u garantova mbështetjen e pakursyer timen dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Shërim të shpejtë dy efektivëve tanë”, ka shkruar ministri Peleshi në Facebook.
Dy ushtarakët e lënduar shqiptarë janë vizituar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji.
Policia e Shtetit ka arrestuar dy shtetas rusë dhe një ukrainas lidhur me rastin.