Grupi i deputeteve që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj po nxiton të hartojë një paketë të plotë ligjore para nisjes së sesionit te ri parlamentar për përjashtimin nga politika të personave që kanë mbajtur poste partiake në kohen e regjimit komunist apo kanë qenë anëtar dhe bashkëpunëtor të ish sigurimit të shtetit. Këtë lëvizje e paralajmëroi ditën e djeshme Alibeaj.
Detajet, deputeti tha se do t’i bëjë publike në vijim.
“Së pari, procesi i dekomunistizimit nuk mund të jetë i fragmentarizuar dhe posaçërisht komponenti i lustracionit nuk mund të jetë i vecuar. Lustracioni duhet të shkojë paralelisht së paku me komponentë të tjerë siç janë deklasifikimi i dosjeve, ndalimi i simboleve të komunizmit dhe ngritja e muzeve dhe memorialeve te kujtesës. Së dyti, lustracioni nuk mund të bazohet tek hakmarrja, qoftë kjo personale apo për motive politike. Në këto 30 vjet ka qenë pikërisht konceptimi i tij si mjet hakmarrjeje dhe për këtë arsye, ai ka qenë mjet i njëanshëm, që ka gjetur kundërshtim, keqkuptim, moskuptim apo refuzim nga pjesë të tjera të shoqërisë. Së treti, lustracioni nuk duhet konceptuar si mjet i luftës politike, me të cilin kërkohet asgjësimi i kundërshtarëve politikë. Nëse një iniciativë lustrimi bëhet pjesore, me selektivitet, me porosi për emra të përveçëm, pra duke mos u vlerësuar si fenomen parimor, që abstragon nga emrat e përveçëm, ai nuk është asgjë tjetër veçse një praktikë totalitare komuniste e aplikuar në një sfond në dukje të demokracisë. Së katërti, lustracioni duhet konceptuar dhe zbatuar duke respektuar shtetin e së drejtës.
Do të ishte dështim një proces lustracioni me dënime kolektive, pa analizuar masën e fajit individual, pa i dhënë të drejtën e mbrojtjes atyre që iu adresohet, pa i dhënë të drejtën publikut të njihet me dosjet e sigurimit të shtetit dhe më gjerë, e realizuar nga trupa që nuk japin garanci pavarësie, apo që nuk realizohet sipas një procesi publik dhe pa i njohur të drejtën e ankimit në gjykatë. Së pesti, procesi i lustrimit duhet të jetë i gjithëpranuar. Ne kemi bindjen se nëse plotësohen kushtet e mësipërme, një proces ligjor lustrimi mund të jetë i gjithëpranuar nga shoqëria dhe politika, e cila ka detyrën që të veprojë sipas nevojave dhe në shërbim të shoqërisë”, tha Alibeaj.