Nënë Liza Marku ka përgënjeshtruar propagandën e bashkisë së Tiranës duke hedhur poshtë versionin se ajo ka folur me Dritan Dangon për marrëveshjen e shtëpisë së re, si kompensim ndaj banesës që iu shemb pak muaj më parë. Ajo deklaron se kishte shkuar në njësinë 8 për të marrë një çertifikatë dhe jo për të firmosur kontratë për banesë apo për bonus.
Emri i nënë Lizës e cila u kthye në simbolin e protestave të "5 Majit", shpesh është përmëndur nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe për të gjitha deklaratat apo shkrimet, nënë Liza ka bërë dhe një kallëzim duke e akuzuar Veliajn për shpifje.
"Se pse e përdor këtë ai nuk e di. Kanë firmosur bonusin, kanë marrë lekët dhe nuk janë përdorur kaq shumë."
Së fundmi kryebashkiaku i Tiranës ka bërë repost një foto të Dritan Dangos, ku ky i fundit teksa ka shpërndarë një fotografi shkruan:
“Nënë Liza më kërkoi që kontratën dua ta firmos live me Erion Veliajn. Ja premtova që do ta firmosësh dhe e do ta marrësh nga live nga lali Eri. Sot bëmë hapin e parë në Njësinë 8. Më mirë vonë se kurrë më tha Nënë Liza”.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë pas kësaj fotoje?
"Isha dje me marrë një vërtetim për një fëmijë të vajzës me e dërgu në shkollë. Hymë brenda dhe më tha të bëjmë një foto në mënyrë shoqërore me nënën Lizën meqë është këtu. As kemi folur për shtëpinë, as se do të takoj Erion Veliaj, asnjë."
Nënë Liza deklaron se imazhi i saj po keqpërdoret për interesa të pushtetit.
"Po bëjnë poshtërsi, po gënjejnë me një plakë."
Më tej ajo thotë se vijon të kërkojnë shpronësimin 100% të shtëpisë.
Shumë nga banorët e zonës së "5 Majit" janë pa zgjidhje nga Bashkia që pas prishjes së banesave të tyre, e madje për disa të tjerë bonusi i ofruar nga Bashkia nuk është i mjaftueshëm duke marrë parasysh dhe çmimin që kanë në treg shtëpitë.