“Jonada” do të jetë emri i njësisë speciale policore që kryeministri Edi Rama thotë se ka kërkuar të krijohet në mënyrë që të rritet siguria e plazheve në vendin tonë.
Ai ka zgjedhur ta quajë me emrin e vajzës shtatë vjeçare, që në muajin korrik u godit për vdekje nga një gomone në plazhin e Potamit në Himarë.
“Falë një angazhimi maksimal të Ministrisë së Turizmit në bashkëpunim me të gjithë bashkitë. Kemi nje sezon turistik, si asnjëherë më parë.
Është bërë punë në shpërndarjen e vrojtuesve të plazheve. U bë një plan i detajuar masash, por përdoruesit e mjeteve të ujit janë shfaqur pothuajse të gjithë si shkelës rregullash.
Shkarkimi i zinxhirit komandues të Policisë Kufitare ishte vendimi i duhur, por nuk mjafton. Ka nisur puna për një reformë të plotë strukturore të të gjithë ngrehinës institucionale që lidhet me detit.
Janë 6 ministri, 7 institucione që kanë kompetencat e tyre në det dhe mbivendosen, përplasen me njëra-tjetrën.
I kam kërkuar ministrit që të krijojmë njësi speciale që do ta quajmë Jonada”, është shprehur Rama.