Pacientët me Hepatit B sorollaten për analiza dhe nuk gjejnë zgjidhje në sistemin shëndetësor publik.
“Mjekja më kërkoi të bëj analizën e ngarkesës virale. Më tha ta bëja në një laborator privat. U interesova. Kushtonte 300 mijë lekë. Shumë shtrenjtë për mua. Shkova te Instituti i Higjenës më tha shko bëje në ISHP. Në ISHP më thanë nuk bëhet”.
Instituti i Shëndetit publik prej dy vitesh është shndërruar në Institut vetëm për Covidin. Në këtë insitut nuk ka as kite për pacientët me Hepatit B të cilët njëherë në vit duhet të masin ngarkesën virale, nuk ka as vaksinë për tërbimin, nuk ka vaksinë ethet hemoragjike.
Aq më tepër nëse do të udhëtosh në një vend ku kërkohet vaksina e etheve të verdha, duhet të shkosh më parë në një shtet fqinj, pasi ne ISHP nuk e kanë. Përgjigja e vetme është që dështojnë tenderat.
Por nëse dështojnë tenderat e kujt është përgjegjësia? A mund të lihet pa ofruar një shërbim shëndetësor se dështon tenderi? Me Hepatit B janë 7 raste për çdo 100 vetë.
Nëse të kafshon qeni vaksinën kundër tërbimit duhet ta blesh privatisht në farmaci. Vetëm para pak ditësh një grua u paraqit në urgjencën e QSUT dhe mjekët i orientuan të afërmit që ta blinin këtë vaksinë në farmaci.
Ndërkohë në laboratorin e QSUT i dhënë tanimë me koncesion bëhet ngarkesa e virale e Hepatit B por vetëm për pacientët e shtruar në spital, pacientet e tjerë duhet të shkojnë detyrimisht në laboratore private ku kjo analizë kushton jo pak, por 30 mijë lekë të reja, aq sa është dhe minimumi jetik në Shqipëri.