Sulmi kibernetik në Shqipëri, Departamenti i Thesarit sanksionon dy ministra të Iranit

Shqipëria

Sulmi kibernetik në Shqipëri, Departamenti i Thesarit sanksionon dy ministra të Iranit

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak se  ky i fundit ishte orkestruesi i sulmit kibernetik në vendin tonë, edhe Departamenti i Thesarit në Amerikë ka sanksionuar dy ministra iranianë.  

Në njoftimin e bërë publik sot (9 shtator) Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja thotë se ka sanksionuar Ministrin iranian të Inteligjencës dhe Ministrin për Aktivitetet Kibernetike.

“Të paktën që nga viti 2007, Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit ( MOIS ) dhe përfaqësuesit e tij të aktorëve kibernetikë kanë kryer operacione keqdashëse kibernetike që synojnë një sërë organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike. Në korrik 2022, aktorët e kërcënimeve kibernetike që vlerësohen të sponsorizohen nga Qeveria e Iranit dhe MOIS ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyruar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Departamentit të Thesarit.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun,” tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.

“Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë.”

Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet se që nga viti 2007 kjo ministri ka kryer operacione keqdashëse kibernetike që kanë vënë në shënjestër një numër organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike.

Si rezultat i përcaktimit të sotëm të Minisrisë dhe Ministrit, Esmail Khatibi të gjitha pronat dhe interesat në pronësi të tyre, që janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara bllokohen dhe amerikanëve u ndalohet të hyjnë në transaksione me ta.

Po ashtu, çdo biznes, që zotërohet në masën 50 për qind ose më shumë, nga personat apo entitetet e vëna nën saknsione, gjithashtu do të bllokohet.

Edhe personat jo amerikanë që angazhohen në transaksione të caktuara me këta persona mund të bëhen objekt sanksionesh dhe çdo institucion financiar i huaj që me vetëdije kryen ose lehtëson një transaksion të rëndësishëm për ose në emër të personave të caktuar, mund t’u nënshtrohet sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat