Çuçi, një gabim i vogël/ Akuzon gazetaren, por ngatërron portat virtuale

Shqipëria

Çuçi, një gabim i vogël/ Akuzon gazetaren, por ngatërron portat virtuale

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 19:59
Gazetare

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për lajmin e dhënë nga Top Channel se sistemi nuk është kthyer plotësisht në funksion dhe se në Rinas pasaportat fotografohen.

Ai tha se gazetarja e Top Channel gënjen publikun, ndërkohë që në kurriz të saj, sipas Çuçit, njerëzit përdorin e-gate.

Por deklarata e zotit Çuçi, bazohet mbi një fakt të rremë. Top Channel ashtu si çdo media, nuk ka akses në zonën e sigurt të Rinasit, pas kontrollit të sigurisë, aty ku gjenden portat elektronike të pasaportave. Ato gjenden në katin e dytë.

Gazetarja Dorjana Bezat në lidhjen e saj në edicionin e orës 15:00, ndodhej në katin e parë, në zonën e check in dhe portat virtuale që shihni më pas, nuk janë për pasaportat, por për kartat e imbarkimit.

Kartat e imbarkimit nuk kanë lidhje me sistemin TIMS, por me aeroportin e Rinasit dhe kompanitë ajrore. Top Channel nuk ka thënë që ka probleme aeroporti. Përkundrazi, aeroporti funksionon shumë mirë.

Vërtetësinë e këtyre fjalëve mund ta vërtetojnë të gjithë ata që udhëtojnë dhe që e dinë se në katin e parë, janë vetëm portat elektronike të kartave të imbarkimit dhe në katin e dytë ato të pasaportave. Por ndryshe nga zoti Çuçi, ne nuk mendojmë se ai gënjen. Thjesht ka bërë një gabim të vogël.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat