​Dita kur Shqipëria kërkoi të bëhej pjesë e OSBE-së

Shqipëria

​Dita kur Shqipëria kërkoi të bëhej pjesë e OSBE-së

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 07:36
Foto ilustrim

Shqipëria më 15 shtator 1990, kërkoi anëtarësim të plotë në Konferencën për Sigurim e Bashkëpunim në Evropë, KSBE, sot OSBE.

Në gusht 1975, 35 vende evropiane, përfshirë Kanadanë e SHBA-në, u mblodhën në Helsinki të Finlandës, me synimin për të zbutur tensionet Lindje - Perëndim. 

Në përfundim, pas disa ditë debatesh, pjesëmarrësit nënshkruan atë që njihet si Deklarata e Helsinkit. 

Pikërisht mbi këtë dokument Shqipëria nuk pranoi të vinte firmën, ku një nga pikat kryesore të Deklaratës së Helsinkit është “respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke përfshirë edhe lirinë e mendimit, ndërgjegjes, fesë ose besimit”. 

Gjithsesi, Shqipëria u bë pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjatë procesit të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991).

Akti Përfundimtar i Helsinkit u nënshkrua nga autoritetet shqiptare më 16 shtator 1991, pasuar nga nënshkrimi i Kartës së Parisit për një Evropë të Re, më 17 shtator 1991. Ky moment shënoi një ndryshim thelbësor në rrjedhën e politikës së jashtme shqiptare, që do të çlironte Shqipërinë nga izolimi ndërkombëtar dhe do ta sillte më pranë bashkësisë Euro-Atlantike, duke ndarë parimet dhe vlerat e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Aderimi i Shqipërisë në OSBE u shoqërua me reforma të thella ligjore në lidhje me të drejtat e njeriut. Rrethanat që i mundësuan Shqipërisë hyrjen në OSBE, përfshinin lëvizjen demokratike të dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste dhe miratimin e Paketës së Përkohshme Kushtetuese, më 29 prill 1991. Kjo Paketë përfshinte dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Në 1997, Këshilli i Përhershëm vendosi, me kërkesën e Qeverisë shqiptare, të dërgojë një Prani të OSBE-së në Shqipëri, për të ndihmuar në kapërcimin e krizave politike dhe për ta shpënë vendin në zgjedhje të përgjithshme, në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Kryesia Daneze, përmes të Dërguarit të saj të Posaçëm, ish-kancelari austriak, Dr.Franz Vranitzky, ndërmjetësoi zgjidhjen e krizës politike dhe mundësoi hapjen e një Pranie të OSBE-së në Shqipëri. Në një fazë të dytë, kjo Prani u ri-përcaktua me një mandat të zgjeruar, për të përfshirë këqyrjen e kufijve veri-lindorë të vendit.

Sot, Prania e OSBE-së në Shqipëri mbështet reformat ligjore, gjyqësore, administrative dhe pronësore dhe ndihmon autoritetet shqiptare në ndërtimin e kapaciteteve parlamentare, luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mire, fuqizimin e shoqërisë civile, forcimin e lirise se medias etj

Angazhimi më i rëndësishëm shqiptar në kuadër të OSBE-së mbetet Kryesia e Radhës e Organizatës, në vitin 2020. Pas Rekomandimit për Miratimin e një vendimi mbi Kryesinë e Radhës së OSBE-së për vitin 2020 (PC.DEC / 1317 30 nëntor 2018), shtetet pjesëmarrëse në MC DEC / 1/18, datë 05 dhjetor 2018, vendosën me konsensus që t’i besonin Shqipërisë Kryesimin e OSBE-së në vitin 2020.

Kryesia e Radhës e OSBE-së 2020 për Shqipërinë kulmoi me takimin e Këshillit Ministror, në Tiranë, nga data 3-4 dhjetor 2020 dhe prodhoi dokumente të pasura në numër dhe substancë: njëmbëdhjetë në tërësi dhe në të gjitha përmasat. Më e rëndësishmja e këtij Ministeriali ishte se 57 shtetet pjesëmarrëse ranë dakord mbi emërimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm dhe drejtuesve të institucioneve te pavarura, gjë që do t’i japë organizatës udhëheqësinë e lartë që i nevojitet në periudhën përkatëse sfiduese.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat