Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i është përgjigjur pyetjes për kritikat e tij në media të përfshirjes së krimit në politikë, duke përfituar nga financat publike, ndërsa ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimit e tij që ka artikuluar edhe më herët, duke treguar qartë se ai është në Parlament dhe politikë për të ngritur zërin për qytetarët e mbrotjur interesat e tyre. Gjatë një prononcimi për mediat dje, pas ceremonisë përkujtimore të 97-vjetorit të daljes së 68 vajzave partizane nga Fieri në radhët e UÇN, deputeti Koçi u shpreh se subjekte të krimit të organizuar sot janë kthyer në biznese legale dhe se përfitojnë nga financat publike.
“Ajo që unë kam denoncuar gjithmonë janë lidhjet e krimit me politikën, me shtetin me financat sepse edhe Fieri ka dëshmuar që kriminaliteti vazhdon të mbijetojë shpeshherë edhe nga përfitimi që merr nga financat publike. Shumë subjekte të krimit të organizuar sot janë kthyer në biznese legale të marrin përfitim financiar nga financat publike, nga tenderët në institucione të ndryshme dhe jo vetëm në bashkinë e Fierit”, deklaroi deputeti Petro Koçi.
Kujtojmë se vitin e kaluar, bëri bujë denoncimi publik i kreut të Partisë Socialiste të Fierit asokohe, Petro Koçi për futjen e duarve të krimit të organizuar te paratë publike. Ai u thirr nga SPAK por gjithçka u mbyll aty.
“Është e qartë që këto grupe kriminale janë duke marrë financa publike, në një mënyrë fatkeqësisht legale. Kjo lloj marrëdhënie me financat po forcon një pushtet financiaro-ekonomik të grupeve kriminal që do thotë, do përkthehet dhe pushtet politik”, u shpreh ai.
Por deputeti Petro Koçi u gjend përballë sulmeve të zyrtarëve lokalë pas denoncimit. Shumica e drejtuesve të organizatave lokale të Partisë Socialiste, të lidhur me drejtuesit e institucioneve vendore i kërkuan kryeministrit Rama shkarkimin e Koçit përmes një letre konfidenciale. “Ajo që më bëri përshtypje ishte reagimi zyrtarëve, pra nga shumë zyrtarë ka pasur reagim negative, gati armiqësor që do thotë se kam pasur të drejtë plotësisht, pra reagimi nga zyrtarët për mua ishte komprometues”, nënvizoi pak kohë më parë deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi.