Sapo ka nisur në gjykatën e Apelit Durrës seanca për çështjen penale ndaj shtetasve rusë Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedis Alpatov të akuzuar për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.
Që në fillim të seancës avokati i shtetasit ukrainas deklaroi se kërkon përkthyes të gjuhës amtare për klientin e tij dhe jo përkthyes të gjuhës ruse.
I arrestuari Alpatos i pyetur nga gjykata deklaroi se nuk e kupton mirë përkthyesen nga rusishtja, duke mbështetur kërkesën e avokatit të tij Saimir Vishaj.
Relatori Florian Kalaja konstatoi se pretendimi i personit nën hetim dhe mbrojtjes së tij është më shumë një pengesë proceduriale nga ana e mbrojtjes se një nevojë komunikimi dhe e rrëzoi kërkesën e avokatit.