Kriza energjetike në tregjet ndërkombëtare dhe invazioni rus në Ukrainë po i përballin prodhuesit me kosto gjithnjë e më të larta të produkteve.
Çmimet e prodhimit të produkteve për tregun vendas në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, shënuan rritje me 16.5 %.
Sipas raportit të publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), rritja më e madhe e çmimeve vërehet në industrinë nxjerrëse me 26.7 %, pasuar nga produktet në industrinë përpunuese, me 21.5 %.
Ndërsa çmimet e produkteve të sektorit të energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar shënuan rritje me 13,9 %.
Në sektorin e furnizimit me ujë, aktiviteteve të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe mbetjeve, çmimet e prodhimit shënuan ulje me 0.1 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se çmimet e prodhimit të produkteve për tregun vendas në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë 2022 shënuan rritje me 2.2 %. Rritja më e madhe vërehet në sektorin e industrisë nxjerrëse, konkretisht 4.3 %.