Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi vendimin për rritjen e pagave duke nisur që nga muaji tetor. Kështu, paga minimale do të shkojë në 34 mijë lekë dhe pensionet me 6%. Por cilat janë kategoritë që përfitojnë nga muaji i ardhshëm?
Pagat do të rriten për punonjësit e policisë së shtetit (nga policët bazë te gradat më të larta), zjarrfikësit, gardistët dhe punonjësit publikë.
Lajmin e ka dhënë sot kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë.
Rama tha se rritja e pagës për punonjësit bazë të policisë do të jetë 15 për qind, ndërkohë që për ata që janë në nivel oficerësh, rritja do të jetë me 7 për qind.
“Ne sot kemi marrë vendimin që Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra të gjithë punonjësit inspektorë dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page 7 për qind. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë 15 për qind. Shtesa në vijim është për nivelin e mesëm. E njëjta vlen për gardën e Republikës. Kemi një shtesë page edhe për policinë e burgjeve, për zjarrfikëse, për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin publik, por edhe punonjësit mbështetës.
Të gjitha vendimet hyjnë në fuqi menjëherë. Pra, paga e ardhshme që do të marrin të gjitha kategoritë do të jetë e rritur sipas përcaktimeve në vendimet përkatëse”,- tha Rama.