Zbardhen detaje nga takimi Rama–Mitsotakis në Pragë

Shqipëria

Zbardhen detaje nga takimi Rama–Mitsotakis në Pragë

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 17:18
Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis

Nga pakicat greke në Shqipëri te deti në Hagë, Rama “kokë më kokë” me Mitsotakis në Pragë

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis janë takuar gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Pragë.

Diskutimet mes tyre janë shtrirë në disa drejtime. Sipas mediave greke, Kryeministri Mitsotakis nënvizoi interesin e vazhdueshëm të Athinës për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri. Në fokus ka qenë çështja e pronave.

Ai iu referua edhe demarkacionit të zonave detare të dy vendeve. Për këtë ai theksoi se dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, siç është rënë dakord, do të forcojë më tej marrëdhëniet e mira fqinjësore duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë.

Gjatë takimit, dy liderët shkëmbyen mendime edhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.

Mitsotakis nënvizoi mbështetjen për rrugën europiane të Shqipërisë, në përputhje me termat dhe kushtet e vendosura nga Këshilli Europian.

Ata diskutuan edhe në lidhje me efektet e krizës së Ukrainës në Ballkanin Perëndimor dhe nevoja për të ruajtur stabilitetin dhe për të forcuar sigurinë energjetike të rajonit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat