Vrasja e 3-fishtë në Klos tronditi opinionin publik mesditën e së mërkurës (12 tetor). Fiqiri Mjeshtri dyshohet se vrau baba e bir, Ilir dhe Kenad Shirën, plagosi Eglantin Hasulën dhe djalin e tij të mitur, Renaton, e më pas i dha fund jetës së tij në banesë.
17-vjeçari Kenad Shira humbi jetën në vendngjarje, ndërsa i ati u transportua në spital por nuk i mbijetoi plagëve të marra. Ndërsa dy të plagosurit Eglantin dhe Renato Hasula ndodhen tek Trauma në Tiranë ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Dy të plagosurit, baba e bir, fillimisht u dërguan në qendrën shëndetësore të Klosit. Kryeinfermieri Bashkim Doda tregoi se adoleshenti kishte shkuar vetë në këmbë në qendrën shëndetësore dhe thoshte “na shpëtoni”, ndërsa i ati mbërriti me ambulancë dhe kishte marrë plumb në shpatull dhe qafë.
“Rreth orës 1 e ca të drekës, gjatë turnit të parë, ka ardhur në qendrën shëndetësore një djalë i ri, i plagosur me armë zjarri. Ishte i plagosur në pjesën e qafës dhe në shpatull. I kemi dhënë ndihmë mjekësore. Më pas me ambulancë e kemi çuar drejt spitalit të Burrelit. Në këto momente ka ardhur dhe babai i tij, me mbiemër Hasula. I dhamë ndihmën e shpejtë, ai ishte më rëndë. Kishte plumb në shpatull dhe në qafë. I vendosëm oksigjen. Djali thoshte; ‘na shpëtoni’. Ndërsa babai ishte më rëndë. Ne i kemi bërë disa pyetje për të parë nëse kishte parametrat në rregull. Djali erdhi vetë në këmbë në qendër shëndetësore”, tha infermieri për News24.