Gjykata la të lirë këtë të shtunë Elvis Sejdon, i cili ishte vetëdorëzuar në Polici i akuzuar dhe dyshuar për një grabitje që ishte kryer në gusht 2021.
I riu doli i lirë nga salla e gjyqit ku u mbajt seanca e sotme, sepse kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij ishte bërë jashtë afatit 72 orësh që e ka të përcaktuar Kodi i Procedurës Penale.
Prokuroria kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për Sejdon. Kërkesa u kundërshtua nga avokati i cili i kërkoi gjykatës lirimin e klientit të tij, që u pranua.
Sipas prokurorisë, dokumentet për prerjen e fletës së arrestit për Sejdon u sollën me vonesë nga Policia e Tiranës dhe për këtë arsye afatet kanë kaluar.
Elvis Sejdo, u shpall në kërkim gjatë operacionit “Escape” pasi akuzohej si bashkëpunëtor në grabitje në afërsi të qendrës “Kristal” në Tiranë.
‘Jam i antidrogës, ku i ke lekët’, dyshohet se kishte deklaruar i akuzuari gjatë grabitjes në zonën “Komuna e Parisit”.
Asokohe, shtetasit Kevin Zeka iu grabitën me armë 1450 euro dhe biçikleta, ndërsa përfunduan në pranga Sebastjan Ogiçi, Ruzhdi Thoma dhe Marjus Fejzulla, ndërsa në kërkim u shpall Elvis Sejdo.