Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, komentoi këtë të hënë kërcënimet e avokatit të ish-ministrit Lefter Koka, i cili paralajmëroi se fakte dhe të vërteta të reja do të dalin në dritë në lidhje me çështjen e inceneratorëve.
E ftuar në emisionin “Open”, në News 24, Kryemadhi se kërcënimet e Lefter kokës i drejtohen kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilët janë pronari dhe avokati i inceneratorit të Tiranës.
Këto kërcënime sipas saj vijnë në lidhje me dritëhijet e shumta për pastrim parash dhe evazion fiskal që qarkullojnë mbi inceneratorin e Tiranës.
“Në dijeninë time në 10 muaj që zoti Koka është në burg nuk është thirrur asnjëherë, as nuk është pyetur apo t’i vejë njeri në qeli, apo të jetë thirrur në SPAK. Kë kërcënon? Pronarin dhe avokatin e inceneratorit, pronari është Edi Rama, avokati Erion Veliaj, haptas. Për aq sa unë e njoh dosjen, çështja e inceneratorit të Tiranës është me dritëhije shumë më të mëdha se dy të tjerat për shkak të pagesave që bëhen në offshore, që mund të jenë në këndvështrimin tim mund të jetë pastrim parash, evazion fiskal, përdorim për destabilitete të ndryshme apo ndikime në grupe të ndryshme interesi, qofshin këto në biznes në polici, në ushtri, pra janë gjëra që e hapin hapësirën, marrëdhënia e Kokës me grupin e inceneratorëve, mendoj se nuk ka qenë ai ideatori”, tha Kryemadhi.
Kujtojmë se avokati i Lefter Kokës deklaroi në një dalje për mediat këtë të hënë se është e padrejtë që ish-ministri të mbahet në paraburgim pasi është në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa më tej paralajmëroi se në dritë do të dalin fakte dhe të vërteta që nuk janë dëgjuar.