Qeveria bllokon KQZ-në për votimin elektronik, i jep 18 milionë euro nga 37 që ka kërkuar

Shqipëria

Qeveria bllokon KQZ-në për votimin elektronik, i jep 18 milionë euro nga 37 që ka kërkuar

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 16:23
Ilirjan Celibashi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë më pak se gjysmën e fondit që kishte kërkuar për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në buxhetin e viti të ardhshëm, qeveria i ka dhënë KQZ-së vetëm 18 milionë euro, kundrejt një kërkese për 37 milionë.

Ilirjan Celibashi e zbardhi shifrën e kërkuar në ABC, duke e motivuar me aspiratën që votimi elektronik të shtrihej në 8 bashki.

ABC u interesua pranë KQZ-së, për të mësuar nëse fondi prej 18 milionë eurosh që ka dhënë qeveria, mjaftojnë për organizimin e zgjedhjeve. Informacionet e marra referojnë se këto para mjaftojnë për një proces normal, duke plotësuar të gjithë bazën materiale dhe pagesat e stafit. Njëherësh, me aq para, edhe në këto zgjedhje do të bëhet identifikimi biometrik i zgjedhësve në mbarë vendin, pasi makineritë e blera në zgjedhjet e shkuara janë ende në gjendje pune dhe duan vetëm një mirëmbajtje që nuk kushton shumë.

Do të përdoren po ashtu kamera në çdo qendër votimi si herën e shkuar.

Por burimet pranë KQZ-së, thanë se këto para nuk mjaftojnë për të kryer votim elektronik në asnjë njësi zgjedhore. Testimi i kësaj metode në njësinë 10 në Tiranë dhe në bashkinë Vorë solli një përshpejtim të procesit të shpalljes së rezultateve dhe uli tensionet elektorale. Gjithsesi, burimet i thanë ABC-së se KQZ do të përpiqet që gjatë diskutimit të buxhetit në parlament, t’i bindë autoritet të shtojnë fondet për zgjedhjet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat