Pamjet kur Lear Kurti kapet nga policia pas ndjekjes dhe ndodhej në gjendje të rëndë janë publikuar këtë të diel.
Në një lidhje direkte gazetarja e “Top Channel”, Dorjana Bezat ka treguar detajet më të fundit nga hetimi që po bëhet për këtë ngjarje të rëndë.
Kanë qenë pamjet filmike ato që e kanë shtyrë Komitetin Shqiptar të Helsinkit për të treguar shkeljet që janë bërë nga uniformat blu.
“Në ekzaminimin që u janë bërë pamjeve filmike në vendin që është ndaluar po ashtu edhe në komisariat apo edhe shoqërimi në spitalin Traumës përpilimi i të gjitha të dhënave qoftë nga salla operative ashtu edhe nga dëshmitë e punonjësve të policisë Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka përpiluar një raport paraprak ku evidenton tre shkeljet nga ana e uniformave blu në lidhje me rastin e shoqërimit të Lear Kurtit. Një ndër shkeljet kryesore që Komiteti Shqiptar i Helksinikit evidenton është arsyeja e ndalimit të 32-vjeçarit, e cila solli më pas pasojat e saj. Sipas Komiteti Shqiptar të Helsinkit kemi shkelje të të paktën tre neneve: 109 nga kodi Procedurës Penale, 27 i Kushtetutës dhe neni 5 i të drejtave Evropiane të Njeriut. Të gjitha këto nene kanë të bëjnë me arsyen që policia duhet të shoqërojë një person, në rastin e Lear Kurtit policia nuk kishte një dyshim të arsyeshëm ashtu siç parashikon neni 27.
Liria e personit cenohet vetëm kur kemi një dyshim të arsyeshëm nëse ai do të kryente një vepër penale apo ishte nën hetim, ose parandalimi i një vepre penale. 32-vjeçari bazuar edhe në pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë aty ku ndodhi ngjarja dhe në ‘Don Bosko’ aty ku u bë e mundur vënia në pranga e tij. Kemi të bëjmë me një person që ecën qetësisht në rrugë duke folur në telefon.
Dyshimet e policisë në pyetjet që ia janë bërë nëse ishte I zonës dhe për mjetin e identifikimit dhe fakti që ai është përgjigjur negativisht nuk e bëjnë një dyshim të arsyeshëm dhe se ai ka qenë duke konsumuar një vepër penale .
Kjo e bën policinë të jetë në shkelje me shoqërimin dhe insistimin e shoqërimit të 32-vjeçarit. Një tjetër shkelje e evidentuar nga Komiteti Shqiptar I Helsinkit dhe që solli pastaj humbjen e jetës së të riut.
Ai pas problemeve shëndetësore nuk duhet të ishte çuar në komisariat por në spital. Rreth orës 23 e 10 është konstatuar ai nga policia dhe nuk është bindur për të ndaluar. Ndjekja ka filluar për 17 minuta deri në kapjen e tij në orën 23 e 27 minuta dhe deri në orën 23 e 34 kanë qëndruar në rrugë për duke pritur automjetin e policisë dhe në këtë momente ka shfaqur gjendje shëndetësore jo të mirë dhe pa ndjenja në rrugë. Policia nuk i ka ardhur në ndihmë aspak, nuk ka pasur trajtimin e duhur për të dhënë ndihmën e nevojshëm dhe sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit duhet të ishte çuar në spital dhe mund të kishim një përfundim tjetër.
Një tjetër shkelje është ai i mungesës së dokumentacionit, pasi ka një mungesë dokumentacioni të mangët në komisariat për kohën e qëndrimit dhe shkaqet e kufizimit të lirisë. Duhet të ishte mbajtur një procesverbal se sa për rrjedhën e ngjarjeve. Rasati po hetohet nga agjencia e mbikëqyrjes policore dhe prokuroria e Tiranës”, tha gazetarja Bezat.
Kujtojmë se Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një qëndrim zyrtar dy ditë më parë, theksoi se 32-vjeçari është shoqëruar në mënyrë të padrejtë nga policia, e cila është bazuar vetëm në dyshime dhe kur është ndjerë keq duhet të dërgohej menjëherë në spital dhe jo në Komisariat.
Shoqërimi i një personi nuk bëhet duke u mbështetur vetëm në dyshime, shkruhet më tej. Sipas dispozitës, dyshimet duhet të jenë të arsyeshme, për kryerjen e një krimi, për të parandaluar kryerjen e një vepre penale, ose për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.
Ky veprim, thotë KSHH, është në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi efektivët duhët të transportonin menjëherë dhe në mënyrë urgjente Learin në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte por 32 vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Në njoftimin paraprak Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit 32- vjeçari ka shfaqur problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës. Burime nga uniformat blu thanë se I riu ka pasur dridhje trupi dhe të vjella Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë.
Sipas njoftimit, nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.