Gripi stinor ka nisur të qarkullojë dhe në Shqipëri. Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar rastet e para. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e bëri të ditur ndërsa njoftoi se në qendrat shëndetësore ka nisur vaksinimi ndaj këtij virusi.
“Duke qenë se tashmë janë kapur rastet e para me grip në vendin tonë, është e rëndësishme për të filluar me intensitet këtë fushatë vaksinimi.”
Vaksinimi kundër gripit do të kryhet njëkohësisht me atë anti Covid. Të parët do ta marrin të sëmurët kronikë, të moshuarit mbi 60 vjeç, punonjësit shëndetësor, forcat e rendit, edukatorët dhe mësuesit.
“Të lajmërohen të gjithë grupet e riskut nëpërmjet mjekëve të familjes dhe nëpërmjet strukturave tona të shëndetësisë. Ajo çfarë rekomandohet nga ekspertët dhe çfarë rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga institucionet ndërkombëtare që merren me shëndetin publik, por edhe udhëzimi i Institutit të Shëndetit Publik, është pikërisht që në momentin që do të aplikohen tek këto grupe vaksinat kundër gripit, aplikohet paralelisht edhe vaksina kundër covid, qoftë për sa i përket dozave bazale, pra dozave të para dhe të dyta për ata që ende nuk e kanë kryer, por edhe për dozat booster apo ato përforcuese dozave të treta, dozat e katërta.”
Aktualisht rreth 270 mijë doza të vaksinës kundër gripit sipas ministres së Shëndetësisë kanë mbërritur në Shqipëri dhe po shpërndahen në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
Ndërkohë në nëntor pritet të vijnë dhe rreth 700 mijë doza të adaptuara kundër Covid të cilat përfshijnë dhe nënvariantet e reja.