​Von der Leyen inspekton punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës

Shqipëria

​Von der Leyen inspekton punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 18:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mikpriti sot në Tiranë, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën e nisi agjendën e kësaj vizite, me inspektimin e punimeve për një nga projektet madhore strategjike në kuadrin e rimëkëmbjes dhe modernizimit të hekurudhës shqiptare, atë të ndërtimit të e hekurudhës Durrës – Tiranë me degëzim në aeroportin e Rinasit.

Vlera totale e zbatimit të këtij projekti është 70 milionë euro, fonde të cilat janë 50% grant nga Bashkimi Evropian dhe 50% kredi e butë BERZH.

Ky segment hekurudhor është tashme pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në Korrik 2016, ku konkurronin për grante nga BE/WBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku informoi kryeministrin dhe presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, lidhur me projektin dhe ecurinë e deritanishme të punimeve.

“Projekti është i integruar, sepse ka një linjë ekzistuese shinash të hekurudhës , që dikur lidhte Tiranën dhe Durrësin, por projekti përfshin edhe pesë kilometra, që do të ndërtohen tërësisht nga e para dhe që do të lidhë Tiranën me Aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza dhe do të vijojë më tej për t’u lidhur me Durrësin. Si i tillë është projekt me tepër interes. Gjatësia e përgjithshme e hekurudhës do të jetë 39 km. Projekti përfshin 10 stacione të reja treni dhe tashmë kemi realizuar 30 % të gjithë volumit të punës për ndërtimin e hekurudhës, që është i kënaqshëm”, shpjegoi Balluku teksa përmendi edhe projekte të tjera të rëndësishme që do të realizohen në Durrës.

“Në Durrës kemi shumë projekte të reja, përfshi edhe portin e ri tregtar, pasi qyteti është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe për pasojë, porti i vjetër ekzistues në qendër të qytetit tashmë e ka humbur kuptimin e tij. Kështu ne po punojmë me studion arkitekturore ‘Royal Hasconing’ për projektin e portit të ri në zonën industriale të qytetit. Kështu, lidhja me hekurudhën e re do të jetë tepër e rëndësishme. Kemi një histori sa i takon hekurudhës, pasi gjatë regjimit komunist, të gjithë e përdornin hekurudhën për të udhëtuar brenda vendit. Por pas viteve 90-të , si shprehje e lirisë, hekurudha u harrua. Por njerëzit sot janë shumë të ndjeshëm sa i takon mjedisit, kështu që ka interes për transportin e gjelbër, siç është hekurudha, si dhe efikasitetin financiar që kjo formë transporti ofron”, u shpreh ajo.

Ndërsa kryeministri Rama duke iu përgjigjur interesit të presidentes së KE Von der Leyen, lidhur me zhvillimin e qytetit të Durrësit tha se “Durrësi është i zhvilluar në mënyrën më intensive. Nëse marrim parasysh numrin e madh të turistëve që vijnë, bëhet fjalë më tepër të themi për një lloj turizmi masiv, me një numër shumë të madh peshuesish”.

Nga ana e saj, presidentja e KE, Ursula von der Leyen vlerësoi punën e deritanishme në drejtim të ndërtimit të hekurudhës së re.

Me përfundimin e projektit, koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta.

Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat