Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka komentuar dorëheqjen e dy deputetëve demokratë, që dorëzuan mandatet brenda 24 orëve, Alfred Rushaj dhe Grida Duma.
I pyetur nga nga gazetarja e Abc, Erneta Shevroja nëse opozita ndikohet negativisht nga dorëheqja e dy deputetëve, Meta tha nuk i takon atij të japë komente, duke theksuar se respekton vendimin e Dumës dge Rushajt.
“Çdo akt individual është i respektuar dhe nuk më takon mua të jap komente për motivet dhe dorëheqjet e tyre, duhen respektuar”, tha Meta.
Mbrëmjen e së hënës ishte Alfred Rushaj i cili njoftoi largimin nga politika dhe lënien e mandatit, duke bërë me dije se është një vendim për arsye personale.
Ndërkohë që ditën e sotme Grida Duma në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat deklaroi se ka dorëzuar në Komisionin e Mandateve kërkesën për lënien e mandatit.
Duma tha se e bën këtë akt pasi është shumë e zhgënjyer nga politika.
Kujtojmë që një ditë më parë në media Duma u përfol se do të largohej nga politika për t’iu bashkuar botës së medias, ku flitet se do të marrë drejtimin e një emisioni politik.
Largimi i Rushajt dhe Dumës nga parlamenti, do t’i japë mundësinë që të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë, Petrit Dodës dhe Oriola Nebiajt.