Qeveria, nëpërmjet zëvendës kryeministres, Belinda Balluku, njoftoi sot se fasha mbi 800 kWh, nuk do të aplikohet as përgjatë muajit nëntor 2022. Vendimi në fjalë, sipas Ballukut, u mor duke marrë në vlerësim situatën atmosferike në vend, ku, sipas parashikimeve, priten reshje shiu gjatë ditëve në vijim.
"Vetëm duke qenë të bashkuar me të vërtetat e kësaj situate ne mund dhe do ta përballojmë edhe këtë sfidë"- deklaroi Balluku.
“Qeveria Shqiptare po mbron të gjithë abonentët familjarë dhe biznesin e vogël nga goditja e çmimit stratosferik të energjisë. Shifrat e kursimit të energjisë për muajin tetor janë domethënëse dhe na japin mundësinë që fashën prej 800 kilovatësh të mos e aplikojmë as për muajin nëntor, duke konsideruar gjithashtu parashikimet e motit me reshje në vijim, si edhe një rënie të caktuar në çmimin e tregut ndërkombëtar të energjisë. Vetëm duke qenë të bashkuar me të vërtetat e kësaj situate ne mund dhe do ta përballojmë edhe këtë sfidë, ku THEMELOR MBETET KURSIMI. Kursim – Kursim – Kursim“, deklaroi Balloku.
Lajmit në fjalë i ka bërë jehonë edhe kryeministri Edi Rama, në rrjetin e tij social, Facebook. Ai ka postuar deklaratën e ministres së Energjisë, në të cilën nënvizohet se edhe për muajin nëntor, nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët.