Eksperti i sigurisë Ergys Muzhaqi thotë se punonjës të SHISH emrat e të cilëve janë publikuar nga hakerat janë të rrezikuar për jetën dhe karrierën.
Në një intervistë për Euronews Albania, Muzhaqi u shpreh se disa nga këta punonjës që janë përgjegjës për mbledhjen e informacionit të ndjeshëm që lidhet me krimin e organizuar janë të ekspozuar ndaj krimit.
“Hakerat kanë marrë një informacion cilësisht të rëndësishëm, sekret. Ditë pas dite e vërtetojnë përkundrejt deklaratave të qeverisë se nuk është marrë ndonjë gjë domethënëse, por ndërkohë janë nxjerrë emailet e kryeministrit dhe kreut të SHISH. Nga ana teknike jo të gjithë personeli është i ekspozuar, edhe pse emrat e punonjësve të SHISH nuk duhet të publikohen. Janë të ekspozuar ndaj eksponentëve kriminalë. Për një pjesë është shumë e rrezikshme për jetën dhe për karrierën e tyre”, tha Muzhaqi.
Sipas tij, është i nevojshëm rinovimi i personelit që tashmë është i ekspozuar dhe marrja e përgjegjësive dhe ndëshkimi i asaj pjese të strukturës shtetërore që ka dështuar në ruajtjen e sistemit.