Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë më datën 13 gusht të këtij viti, ku një 22-vjeçare nga Kenia u gjet e dhunuar në katin e parë të banesës që jetonte me qera. Dyshohet se 22-vjeçarja është dhunuar dhe është hedhur nga kati i dytë i banesës duke pësuar dëmtime të rënda që e kanë çuar në gjendje të rëndë.
News 24 bën me dije se njoftimi i parë për ngjarjen u bë pas tre muajsh nga policia, më 9 nëntor 2022.
Në njoftimin e saj policia deklaron se në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Por sipas informacioneve të publikuara nga News 24, prokuroria ka nisur hetimet 2 javë pas ngjarjes së rëndë, pas referimit të marrë nga policia.
Në këto kushte, duket qartazi se policia ka referuar me vonesë rastin në prokurori dhe nuk e ka ka bërë atë publik.
Prokuroria ka nisur hetimet duke e referuar rastin si “Plagosje e rëndë me dashje dhe ka marrë në pyetje personat e afërt të 22-vjeçares, si dhe kontaktet e fundit të saj. Në pyetja janë marrë dhe banorët e lagjes, përfshirë dhe komshinjtë e saj në rrugën “Pandeli Evangjeli”.
Dyshohet se në momentin e ngjarjes në banesë kanë qenë dhe persona të tjerë të cilët grupi hetimor po përpiqet t’i identifikojë. Aktualisht nuk ka asnjë person si të dyshuar në lidhje me gjendjen e rëndë.
22-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Traumës, ndërkohë që e ëma e saj po përpiqet ta transferojë në një spital jashtë vendit për një trajtim më të specializuar.