Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike kanabis dhe drogave të tjera të forta në operacionin e koduar “Vespa”.
Në pranga përfunduan katër shtetas, teksa u sekuestruan lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-M. K., 48 vjeç, A. C., 49 vjeç, U. H., 33 vjeç dhe L. K., 16 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Si rezultat i hetimeve proaktive, të kryer në kuadër të një procedimi penal, ka rezultuar se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal dhe kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Shkodrës.
Gjatë kontrollit fizik këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan lëndë narkotike kokainë dhe kanabis. Gjithashtu, shtetasit M. K., i cili nga hetimet rezultoi se kishte rolin e organizatorit të këtij grupi kriminal, iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.