Ministri i Jashtëm i Ekuadorit ka kërkuar vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe disa shtete të tjera të botës së tretë, duke cituar arsye sigurie.
Juan Carlos Holguin tha se qytetarët e vendeve të botës së tretë, përfshi edhe Shqipërinë, do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Ekuador.
Ai ka thënë se shumë organizata kriminale që operojnë në rajon, kanë përfaqësues të tyre në Ekuador, nga ku drejtojnë operacionet e trafikut të drogës.
“Mafia që veprojnë në Shqipëri dhe prej andej edhe në vende të tjera evropiane, veprojnë edhe nëpërmjet drejtuesve të ndryshëm të bandave dhe operatorëve nga burgjet e Ekuadorit, Kolumbisë dhe Perusë”, ka thënë ministri i jashtëm i Ekuadorit Holguin.
Ai ka thënë se heqja e vizave i ka dhënë mundësinë mafiozëve nga disa shtete të hyjnë në Ekuador.
“Le të shqyrtojmë disa çështje, heqjen e kërkesës për vizë, nën atë koncept të gabuar të shtetësisë universale. Kjo i lejoi mafiozëve, ardhja e të cilëve në këtë hemisferë ishte shumë e vështirë, të kishin një derë hyrjeje dhe qëndrueshmërie në Ekuador. Në vendin tonë u vendosën delikuentë nga Shqipëria dhe, në fakt, mafiozë nga Haiti dhe Afrika”, ka thënë ai ndër të tjera.
Në Amerikën Latine jetojnë rreth 300 shqiptarë, ndër të cilët 69 janë vendosur në Ekuador, shtet ku ka vuajtur edhe dënimin me burg Dritan Rexhepi, i konsideruar si koka e kartelit të parë të kokainës të përbërë nga shqipatrë.