Bosi belg i drogës në sitën e SPAK, kompani import-eksporti në Shqipëri

Shqipëria

Bosi belg i drogës në sitën e SPAK, kompani import-eksporti në Shqipëri

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 17:35
SPAK

Autoritetet belge kanë vënë në lëvizje SPAK për të hetuar aktivitetin ekonomik në Shqipëri të një bosi droge të akuzuar për trafikun e 1.9 tonëve kokainë nga Amerika Latine.

Belgu rezulton se kishte hapur një kompani në Shqipëri ku kishte dhe hyrje-dalje të shpeshta.

Përmes një letër-porosie prokuroria federale e Brukselit i ka kërkuar SPAK të verifikojë aktivitetin tregtar në Shqipëri të një  bosi droge.

D.L shtetas belg, është arrestuar në tetor të vitit të kaluar në Liezh si drejtues i një organizate kriminale që kishte trafikuar 1.9 ton kokainë nga Amerika latine përmes transportit me kontejner në portin e anversit. Droga fshihej në rroba, goma, qymyr dhe mallra të tjerë dhe më pas nxirrej përmes përpunimit kimik në një laborator që u zbulua nga policia Belge.

Sipas Euronews autoritetet atje kanë zbuluar se 43-vjeçari kishte hapur dhe zotëronte një kompani në Shqipëri me aktivitet të gjerë tregtar, nga zhvillimi i teknologjive të reja tek import-eksporti me te gjitha llojet e mallrave dhe produkteve.

Në kuadër të hetimit pasuror autoritetet belge i kanë kërkuar SPAK të kryejë një sërë veprimesh verifikuese për kompaninë në fjalë dhe shtetasin D.L, mes tyre në dogana, kadastër , banka por edhe kontrolle në vendqëndrimet e tij në Shqipëri, përfshirë edhe hyrje-daljet prej vitit 2016.

Për ecurinë e kësaj letërporosie në Shqipëri belgët kanë kërkuar autorizim që të jenë prezent edhe një gjyqtar federal dhe 2 agjentë të policisë. Gjatë 3 viteve SPAK i është përgjigjur qindra letërporosive për ndihmë juridike të autoriteteve të drejtësisë nga shumë vende të euroje dhe më gjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat