Porti Durrësit, Sali Berisha: Aferë që shkon deri në 3 miliardë euro

Shqipëria

Porti Durrësit, Sali Berisha: Aferë që shkon deri në 3 miliardë euro

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 08:26
Sali Berisha

Për opozitën, projekti i portit të Durrësit është një aferë korrupsioni, ndaj edhe sot i gjithë fokusi i oponencës së deputetëve të PD-së do të jetë te kjo temë.

Dje para deputetëve të PD-së, Berisha renditi disa të dhëna që hedhin dritë mbi raportin e fitimit dhe humbjes të qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, nëse realizohet ai projekt. “Shteti shqiptar, nga ndërmarrja e Edi Ramës me Alabarin, fiton 200 mijë euro në vit. Kaq është sipas ekspertëve të porteve dhe detit. Kjo është ‘Çuçi-pay’, se është i apasionuar pas jahteve. Në një kohë kur ai port përpunon sot rreth 4 milionë tonë mallra. Tani do na bëhet porti i jahteve të Ramës, Olsit, Çuçin të mos e harrojmë, klientelës së tyre, dhe pastaj do të vijnë edhe disa të tjerë, ortakë të tyre, nga Ballkani dhe Arabia. Pra, këto janë disa aspekte, kurse fitimi i Edi Ramës dhe Olsi Ramës, i Karriçëve dhe ‘stër-Karriçëve’ që janë me ta, është përrallor.

Ata marrin falas 3 miliardë euro truallin, ata ndërtojnë nga ky, 12600 apartamente, një barbari e vërtetë urbanistike. E tëra kjo në tërësi, shitje në ajër, shitje në themel, ndaj na duhet edhe amnistia fiskale, të vërshojnë lumenjtë e narko-eurove apo narko-paundëve drejt Shqipërisë. Vetë kompania ‘Rama-Alabara’, investon gjithsej 2 ose 3 për qind, më së shumti. Shqiptarët nuk kanë asnjë pasuri publike të çmuar se sa portin e Durrësit, asnjë, porti i Durrësit është pasuria publike numër një e kombit shqiptar. Kaskadën po e nxore në treg nuk ka vlerën as gjysmën e portit, aeroportin po e nxore në treg nuk ka vlerën as 1.3 a 1/4 e portit të Durrësit. Vetëm së fundmi, janë investuar mbi 70 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve dhe nga Banka Evropiane e Zhvillimit. 70 milionë euro janë blerë makineri dhe vinçat më ultra modernë për të përmbushur detyrimet e për të funksionuar me kapacitet të plotë. Edi Rama me zonjën Balluku të verbuar nga babëzia për ta përvetësuar këtë pasuri të madhe, shpallin përvetësimin e saj”, u shpreh Berisha.

KOMISIONI HETIMOR

Ndërkohë, porositi deputetët që të çojnë përpara sa më shpejtë kërkesën për komision hetimor. Ai po ashtu i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta pasi sipas tij, durrsakët nuk mund ta pranojnë një afër të tillë që i dëmton ekonomikisht, duke u marrë pasurinë më të madhe. “Meqenëse Edi Rama po vepron në mënyrë të rrufeshme për kalimin e ligjit për këtë marrëveshje, atëherë edhe ne në mënyrë të rrufeshëm të krijojmë komision hetimor parlamentar dhe ta dërgojmë edhe këtë në Gjykatë Kushtetuese. Duhet të parashikojmë edhe tjetër armë që kemi në dorë, protestat e fuqishme kundër kësaj grabitje të tmerrshme”, tha Berisha.

Kreu i PD-së e cilësoi këtë si plaçkitjen më të madhe jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. “Një plaçkitje, një grabitje të tillë të një pronë publike 3 miliardë euro. Asnjë qeveri nuk ka një Kryeministër që i ka lejuar vetes të plaçkisë 1 milion metër katror truall. T’i shkatërrosh vendit portin shekullor, do të thotë të gjobisësh vetëm me transport, qindra e miliona, në mos miliarda euro në vite. Vetëm me transport, i cili do bëhet nga Mali i Zi, portet e Greqisë, dhe pjesërisht nga Vlora. Edhe ajo jo, se ajo është pa port. Të shkulësh portin shekullor, për të cilin është projekti, investimi dhe çdo gjë, dhe të gjobisësh qytetarët shqiptarë me të paktën 2 miliardë euro që kërkon ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, sipas specialistëve, dhe që duhet të ndërtohet sipas pronarit të ‘Dubai City’ në Durrës”, vijoi kreu i opozitës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat