Banorët e Divjakës kanë protestuar sot përsëri kundër vendosjes së traut dhe pas konfrontimit me forcat e policisë e kanë shkulur traun. Aktualisht situata është qetësuar.
Banorët në ditën e katërt të protestës së tyre, e kanë hequr traun dhe pse janë konfrontuar me forcat e policisë. Trau është vendosur ditën e djeshme nga kompania e cila kishte marrë të drejtën për mbledhjen e tarifës. Policia ndodhet në vend për të ruajtur rendin, nuk ka persona të shoqëruar.
Vendimi i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vendosjen e një trau elektronik dhe bërja me pagesë për turistët dhe vizitorët, hyrja në parkun kombëtar të Divjakës ka nxitur reagimin e banorëve të zonës.
Banorët kundërshtojnë vendosjen e traut duke e konsideruar në shkelje të ligjit edhe nga ana e Bashkisë që ka dhënë lejen e ndërtimit.
Ata kundërshtojnë me force privatizimin e pasurisë kombëtare. Vendosja e traut me pagesë do të cenonte edhe bizneset që operojnë në këtë zonë të cilët thonë se do e mbrojnë me çdo kusht pasurinë e qytetarëve për mirëmbajtjen e së cilës kontribuojnë vazhdimisht.
Edhe më herët banorët kanë kundërshtuar hyrjen me pagesë në parkun e Divjakës, duke e cilësuar këtë një vendim për privatizimin e pronave shtetërore.