Berisha zbulon orarin e protestës: Dalim në shesh në orën 12:00, do jetë paqësore

Shqipëria

Berisha zbulon orarin e protestës: Dalim në shesh në orën 12:00, do jetë paqësore

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 07:46
Sali Berisha

Sali Berisha zhvilloi dje takimin e tretë të regjistruar në selinë e Partisë Demokratike. Takimi në selinë blu zgjati për afro 1 orë, ndërkohë që kreu i PL në përfundim të takimit nuk dha shumë detaje për bisedat e zhvilluara me kryedemokratin, por teksa u pyet nëse do të merrte pjesë në protestën e 6 dhjetorit u shpreh se në dhjetor gjithmonë ka protestë.

Ndërkohë, kreu i PD përmes një postimi në rrjete sociale, deklaroi se biseda me Metën kishte qenë për të koordinuar bashkëpunimin e shumëanshëm mes PD dhe PL.

“Sot, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD z. Flamur Noka, zhvilluam një takim me kryetarin e Partisë së Lirisë, ish-Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, dr. Petrit Vasili. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës. Bashkëpunimi elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje, për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi”, shkroi Berisha.

ORA E PROTESTËS

Ndërkohë, disa orë pas takimit me aleatin e tij, përpara kryetarëve të degëve të PD-së së Tiranës, Berisha lajmëroi se protesta e 6 dhjetorit do të jetë në orën 12:00, ndërsa vendi mësohet se të jetë i njëjti me atë të 12 nëntorit.

“Unë kam bindjen se protesta jonë do të mirëpritet në mbarë opinionin publik dhe botëror dhe nga liderët e këtyre demokracive që për arsyet e tyre janë të mirëseardhur në Shqipëri. Nuk ka asnjë diskutim. Nga ana tjetër, kjo përshëndetje e jona nuk ka asnjë lidhje me mikpritësin e tyre Edi Rama. Kjo përshëndetje e jona për një nderim që u bëjnë qytetarëve shqiptarë dhe mundësinë për të paraqitur problematikat më të mëdha që ka sot Shqipëria. Asnjë prej tyre në jetën e tij nuk u ka bërë thirrje policëve dilni mblidhni vota.

Asnjë prej tyre nuk ka ndërtuar narkoshtet si Edi Rama. Këto janë të vërteta. Nuk i kemi shpikur ne. Janë analistë botërorë që i konstatojnë. Asnjë prej tyre nuk ka shkelmuar interesat botërore të vendit të tij. Asnjë prej tyre nuk ka vrarë shpresën e qytetarëve të tij dhe t’i kthejë në popull gomonesh. Protesta jonë është një mesazh i fuqishëm i shqiptarëve që ne nuk pajtohemi me këto. Ne qëndrojmë për vlerat europiane, për një Shqipëri të standardeve demokratike, të votës së lirë. Ai që përfaqëson, ai që është sot Kryeministër. Është një fatkeqësi kombëtare. Do të jemi në shesh. Kësaj radhe më të mobilizuar se kurrë. Sepse ditë pune është, ora 12 është. Por kur të thërret koha, nuk ka asnjë apel. Kohës i përgjigjesh gjithnjë pa apel. Është forcë madhore. Këto data janë caktuar nga të tjerë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, biznesmenëve të Tiranës, të martën në 12:00 të gjithë në bulevard. Në rast se nuk vini vetë, mos pengoni punonjësit tuaj!”, tha Berisha.

PROTESTË PAQËSORE

Më tej, Berisha, përkundër pretendimeve të maxhorancës për prishjen e imazhit të Shqipërisë meqë më 6 dhjetor zhvillohet samiti i BE për Ballkanin Perëndimor tha se pavarësisht sirenave të tmerrit nga qeveria, ajo protestë do të mbahet dhe do të jetë paqësore. Sipas tij, tubimi i demokratëve për vlerat demokratike do të ketë dhe mirëkuptimin e liderëve të BE-së, të cilët vijnë nga vende të lira.

“Përpjekja jonë nuk ka të sosur. Është një përpjekje, një betejë e cila ndalet vetëm në fitoren e PD-së. Rrugë kjo që kërkon përkushtim, guxim, atdhetari, tipare këto që ju mbështetësit tuaj dhe qytetarëve nuk u mungojnë. Në Tiranë më datën 6 mblidhen udhëheqësit politik të të gjitha vendeve të BE-së, u them të gjithë këtyre papagajve të qeverisë, u them se në Tiranë më datën 6 nuk mblidhen 30 diktatorë, por lider të zgjedhur me votë të lirë, pa patronazhistë dhe narko-euro si Edi Rama, ndaj se kam besim se ata kanë mirëkuptim për një popull që proteston për të njëjtat vlera që i kanë bërë popujt e tyre të lirë dhe demokratik”, tha ai, ndërkohë garantoi se tubimi do jetë paqësor. “E themi këtu, kjo do jetë një protestë paqësore. Ne i dimë detyrimet që kemi për sigurinë dhe për mikpritjen dhe këto nuk i konfondojmë në asnjë lloj rrethana, por zëri ynë do të jetë i pranishëm aty. Duhet tu themi anëtarëve, ky kërkon të na zhdukë, ai do të përballet me pasojat më të rënda. E them dhe një herë data 6 do të jetë ditë proteste paqësore”, tha Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat