Mësimi në shkollat e Tiranës do të vijojë normalisht më 6 dhjetor, ditën kur në kryeqytet do të zhvillohet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Arsimit, Evis Kushi përmes një postimi në Facebook.
Ajo thotë se ky samit është një ngjarje historike për Shqipërinë. Kushi fton mësuesit e të gjithë vendit për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Postimi i Evis Kushit:
E detyruar nga pyetja e vazhdueshme “A do jenë pushim shkollat në datën 6?” po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Për herë të parë, të gjithë liderët e BE-së mblidhen në një vend jashtë BE-së për një samit të Këshillit Evropian. Ky është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por s’ka arsye për të ndaluar procesin mësimor. Madje i ftoj të gjithë mësuesit, në të gjithë vendin, që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë.
Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë keqinformuar nga media të ndryshme, rrjetet sociale apo burime të tjera jozyrtare dhe mësim të mbarë!