Një efektiv Policie përfundoi në pranga pasi kishte marrë ryshfet te një qytetare me qëllim për t’i rikthyer patentën.
Alkid Ndreu, 47 vjeç, anëtar i Komisionit të Gjobave në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
AMP-ja deklaroi se efektivi kishte marrë një shumë prej 70 mijë lekësh të reja ndaj qytetares. Në prangat e Policisë ka përfunduar edhe Eduart Caka, i akuzuar si sekser, ndërsa qytetarja është ndjekur penalisht në gjendje të lirë.
“Në datë 01.12.2022, Drejtoria Rajonale e A.M.P-së Tiranë ka kryer arrestimin në flagrancë të punonjësit të Policisë A.N., me detyrë specialist i administrimit të dokumenteve dhe anëtar i OASH, i dyshuar për veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ e kryer në bashkëpunim, si dhe shtetasit E.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja B.D., e dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, e kryer në bashkëpunim.
Veprimet e mësipërme u kryen nga AMP Tiranë pas autorizimit nga prokurori i gatshëm, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se shtetasja B.D. kishte arritur të merrte Lejen e saj të Drejtimit, e cila ishte e bllokuar nga OASH me afat 3-mujor, kundrejt një shume prej 70.000 lekësh e dhënë në formën e ryshfetit te personat përgjegjës.
Nga veprimet hetimore në vijim u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i Lejes së Drejtimit, që në atë moment posedohej nga shtetasja B.D. Vijimi i veprimeve bëri të mundur identifikimin e kapjen e personit ndërmjetës, shtetasi E.C., i cili, duke shfrytëzuar njohjet dhe kundrejt shpërblimit financiar të paligjshëm, ka bërë të mundur marrjen e lejes së drejtimit nga punonjësi i policisë A.N., i cili ka detyrimin ligjor të administrimit deri në skadencë të vendimit të OASH dhe dorëzimin e lejes tek shtetasja B.D”, sqaroi AMF-ja.
Materialet procedurale i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa po punohet për identifikimin e punonjësve të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Gjatë muajit nëntor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi katër efektivë, ndërsa për katër të tjerë u mor vendimi për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit.