Ish-kreu i demokratëve Lulzim Basha ndodhet në Amerikë, ku po zhvillon takime më zyrtarë të lartë të institucioneve atje, ku edhe është takuar me Jörn Fleck, kreu i Qendrës Europiane në Këshillin Atlantik.
Në njoftimin që bën për këtë takim, Basha thotë se ka diskutuar me Fleck dhe bashkëpunëtorët e tij, për liderët politikë që nuk ndahen dot nga e shkuara dhe shkaktojnë drama për vendet e tyre. Pra, një referim indirekt për Sali Berishën, referuar diskursit të përdorur.
“Sot zhvillova një takim të frytshëm në Këshillin e Atlantikut. Kënaqësi të ndaja qëndrimet tona, për çështje me interes të veçantë, me Jörn Fleck | Drejtori për Qendrën Europiane në Këshillin Atlantik, si dhe me bashkëpunëtorë të tij, të fokusuar në çështjet europiane mes të cilëve, Ilva Tare, Damir Marusic, Luka Ignac e Lisa Homel.
Diskutuam gjerësisht për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, trafiqeve dhe lirinë e medias.
Folëm gjithashtu dhe për bashkëpunimin rajonal dhe mundësinë për zgjidhjen e konflikteve që aktualisht kërkojnë të mbajnë peng të ardhmen e Ballkanit perëndimor, për shkak të liderëve politik që nuk ndahen dot nga e shkuara e që kanë prodhuar veç drama për vendet tona”, shkruan Lulzim Basha.