Pas mbledhjes më të deleguarit e qarqeve të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj mediave në lidhje me zhvillimet më të fundit në vend.
Sa i përket nisjes së procedurave për emërimin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se është nisur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe se nuk ka krisje të marrëdhënieve me ambasadoren aktuale.
Edi Rama: Ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, nëse mund ta përdorim kështu me metaforën e krisjes dhe ngjitjes nuk ka asnjë problem. Ne kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem.
Kryeministri u rezervua sa i përket hetimeve të inceneratorëve, teksa bëri të ditur se do të shprehej pasi drejtësia të japë vendimin përfundimtar mbi hetimet.
Edi Rama: Dhe ne as për njerëz që janë në PS dhe as për njerëz që janë kundër PS dhe as për ish-Presidentë Republike, as për ish-Kryeministra, nuk e kemi zakon të prononcohemi kur bëhet fjalë për këtë lidhje dhe unë të gjitha çfarë thuhen në media i marr me shumë rezervë.
Shefi i qeverisë foli edhe për marrëveshjen e arritur me Britaninë e Madhe për kthimin e emigrantëve të paligjshëm, duke theksuar se ka qenë vetë ai që e ka kërkuar një gjë të tillë dhe kanë rënë dakord për ngritjen e një skuadre speciale të përbashkët.
Edi Rama: Kryeministri britanik më ka shprehur keqardhjen dhe një keqardhje e shprehur në mënyrë shumë pa ekuivok për atë çfarë ka ndodhur.
Rama nuk i kurseu as batutat sa i përket procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e 14 Majit.
Edi Rama: Ne e kemi praktikën tonë të konsoliduar, bëjmë konsultim të kryqëzuar, konsultimin me partinë nuk diskutohet sepse ne kemi parti, nuk kemi çeta që mblidhen dhe shpërndahen sipas thirrjeve.