Altin Dumani është zgjedhur kryetari i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në votimin e zhvilluar sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Dumani mori 5 vota të anëtarëve. Ndërsa kandidatët e tjerë, Adnan Xholi mori 1 votë dhe Edvin Kondili mori 4 vota.
Altin Dumani do të zëvendësojë kryetarin aktual të SPAK, Arben Krajën. Mandatin e kreut të SPAK, Dumani do ta marrë më datë 19 dhjetor.
Adnan Xholi 1 votë
Altin Dumani 5 vota
Edvin Kondili 4 vota
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla tha se Dumani do të marrë mandatin e kreut të SPAK më datë 19 dhjetor.
“Me 5 vota pro zoti Altin Dumani emërohet drejtues i Prokurorisë së Posaçme. Mandati i zotit Dumani do të jetë 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje duke filluar nga data 19.12.2022 deri më 18.12.2025. Të njoftohet me këtë vendim zoti Dumani dhe Prokuroria e Posaçme. Kundër këtij vendimi mund të bëhet apel në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e vendimit” – tha Balla.
PROGRAMI DHE VIZIONI I ALTIN DUMANIT NË KRYE TË SPAK
Më herët, Dumani prezantoi përpara anëtarëve të KLP-së, programin e tij për drejtimin e SPAK-ut. Ai u shpreh se garancia që ai ofron për një prokurori të suksesshme është bilanci i tij i arritur në punën si prokuror i SPAK gjatë 3-viteve të fundit.
Ai shtoi se bashkëpunimi, puna në grup, autonomia e institucionit dhe integriteti personal i punonjësve janë ato që do ta bëjnë SPAK-un nëse drejtohet prej tij, një institucion efikas dhe që të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve.
“Ndihem shumë i motivuar për të garuar për këtë funksion, pasi nëse më jepet mundësia për të drejtuar këtë institucion, do të kem në fokus ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsionin. Unë besoj se suksesi bazohet nga bashkëpunimi, nga puna në grup, nga autonomia dhe nga integriteti i çdo anëtari të Gjykatës së Posaçme. Të flas për veten, sa herë më është dashur të angazhohem në gara, është pak e vështirë, pasi ne prokurorët jemi pak të kursyer për veten”, tha Dumani.
Gjithashtu ai shtoi se detyrën e prokurorit e sheh si një mision dhe jo si një pun. “Nuk e kam parë asnjëherë si një vend pune e kam parë si një mision dhe këtë frymë kam përhapur te të gjithë kolegët. Një mision që kërkon angazhim maksimal dhe jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal. Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim”, shtoi ai.