Hetimet për vrasjen e biznesmenit nga Saranda, Edmond Papa kanë shtyrë hetuesit të verifikojnë dy ngjarje të tjera kriminale të ndodhura gjatë kohëve të fundit, për shkak të indicieve nisur nga e shkuara kriminale e viktimave.
Fjala është për vrasjen e Aleksandër Sadikajt, i njohur si “Sanço”, pak muaj më parë në dalje të kryeqytetit dhe ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur dy ditë më parë në Greqi, sipas Tv Klan.
Dyshimet janë se Sadikaj kishte qenë në hotelin e 49-vjeçarit Papa dy ditë para se të ndodhte ekzekutimi. Kjo ka shtyrë hetuesit të nisin verifikimin nëse dy vrasjet kanë ndodhur për shkak të implikimit të dy viktimave në trafikun e narkotikëve.
Nga ana tjetër mediat greke dje nxorën në dritë fakte të reja sa i takon hetimeve për vrasjen e dy shqiptarëve në Greqi, 2 ditë më parë. Ato shkruajnë se shkak për ekzekutimet e njëpasnjëshme është bërë humbja e një ngarkese prej 700 kg drogë për të cilën duhej të kujdesej Edmond Papa.