Hidrocentrali i Fierzës do të rehabilitohet me një grant prej 8.7 milionë eurosh të Bashkimit Evropian.
Lajmin e bëri të ditur sot Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thekson se, hidrocentrali i dytë më i madh në vend do të rehabilitohet në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së.
“Ne po mbështesim gjithashtu rajonin të përballet me krizën energjetike përmes Paketës së Mbështetjes së Energjisë prej 1 miliard eurosh”, thuhet në postimin e Delegacionit të BE.
Falë kësaj ndërhyrjeje, jetëgjatësia e funksionimit të hidrocentralit zgjatet me të paktën 30 vjet dhe prodhimi rritet me 10%.
Rehabilitimi pritet të përfundojë deri në vitin 2027./ATSH