Gjiri i Durrësit është përfshirë nga moti i keq, me erë dhe dallgë të forta. Burime nga Autoriteti Portual Durrës bëjnë të ditur se dy tragetet e planifikuar për tu nisur nga Durrësi drejt Barit mbrëmjen e djeshme, janë nisur sipas orarit dhe kanë mbërritur sipas orarit të përcaktuar.
Era e fortë ka qenë prezente në të dy brigjet e Adriatikut dhe kjo ka sjellë vështirësi në lundrimin e trageteve.
Drejtoria e Përgjithshme Detare ka njoftuar që dje për përkeqësimin e motit duke paralajmeruar mjetet lundruese të tonazhit të ulët dhe të mesëm që të mos dalin për lundrim. Ndërkohë sot ky institucion njoftoi se si rezultat i përkeqësimit të kushteve atmosferike në zonën detare të Barit si edhe nga konfirimi i agjensive detare, tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës nuk do të nisen nga portet respektive.
Nga ana tjetër, Kompanitë e lundrimeve do tē respektojnë gjithë detyrimet që lindin nga anullimi i lundrimit, prandaj për çdo informacion pasagjerët duhet të kontaktojnë me agjensitë detare.