Vodhën para, bizhuteri dhe telefona celularë në katër banesa, arrestohet i riu në Tiranë!

Shqipëria

Vodhën para, bizhuteri dhe telefona celularë në katër banesa, arrestohet i riu në Tiranë!

Më: 20 janar 2023 Në ora: 15:56
Foto ilustrim

Një i ri është arrestuar nga policia e Tiranës pasi dyshohet si autor i katër vjedhjeve të ndodhura në disa banesa në kryeqytet.

Sipas policisë, në pranga ka rënë personi me iniciale S. T., 32 vjeç, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Ai dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë kryer disa vjedhje duke marrë shuma parash, bizhuteri dhe aparate celularë në katër shtëpi.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Houses”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1.

Zbardhen dhe dokumentohen 4 raste të vjedhjeve në banesa, të shumave të ndryshme parash dhe sendeve me vlerë, të ndodhura gjatë vitit 2022.

Vihet në pranga autori i dyshuar, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1., organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Houses”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:

– S. T., 32 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

32-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë (punohet për identifikimin e tyre), gjatë vitit 2022, dyshohet se ka kryer disa vjedhje në disa banesa, në Tiranë, konkretisht:

– Më datë 27.10.2022, në rrugën “Muhamet Deliu”, dyshohet se ka vjedhur në një banesë, 30 000 lekë të rinj dhe disa bizhuteri;

– Më datë 30.10.2022, në rrugën “Muhamet Deliu”, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetases Sh. M., një shumë parash, dy ora dore dhe dy aparate celulare;

– Më datë 16.11.2022, në rrugën “Abraham Linkoln”, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit M. M., 15 000 euro, 150 000 lekë të rinj dhe bizhuteri;

– Më datë 27.12.2022, në rrugën “Marie Kraja”, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit R. F., një shumë parash dhe disa bizhuteri.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat