Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të tjera nga operacioni i SPAK për goditjen e grupit kriminal të Plarent Dervishajt në Durrës.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Hoxha tha se oficerët e BKH-së dhe forcave RENEA hynë në shtëpinë e Dervishajt ku gjetën vetëm nënën e tij.
Nga frika, kjo e fundit telefonoi të birin, i cili është i arratisur në Dubai. Sipas Hoxhës, nëna i dha telefonin një oficeri për të komunikuar.
Gazetari Hoxha u shpreh se Dervishaj i kishte pyetur hetuesit se pse godasin vetëm grupin e atij dhe nuk zbardhin atentatin që i është bërë disa vite më parë.
Hoxha: Në momentin kur ka ndodhur, unë kam qenë live në një media dhe thashë që kjo ngjarje do prishë ekuilibrat në Durrës. Pas 4 vitesh, në Durrës ka ndryshuar skena e botës së krimit. Nuk janë ata që ishin, kanë ardhur të tjerë. Tashmë kontrollohet nga personazhe të tjerë. Atentati i 1 nëntorit ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën 3 të tjerë, ishte kundërpërgjigje e një atentati të mëparshëm. Këtë që ka bërë SPAK-u, është një gur i mirë për t’i shkuar në fund zbardhjes së ngjarjeve në Durrës.
Padiskutim që është një ngjarje e rëndë. Ngjarja u bë më e rëndë, ku para ngjarjes, kryeministri deklaroi se ky prokuror është bërë palë me krimin. Këshgtu ndodhi. Në dosje, në makinë u gjet një personazh i lidhur me krimin. U gjetën dhe dosje që kishte dokumente të lidhura me pronat në Gjirin e Lalëzit. Kjo ka një background politik. Para kësaj ngjarje kemi një ngjarje tjetër ku u plagos Plaurent Dervishaj.