Gjykata e Apelit të Tiranës caktoi “Arrest në burg” për Havier Dobin, i cili së bashku me të ëmën Rozeta Dobi u zbuluan për vjedhjen e 120 mijë eurove në banesën e zyrtares Alda Klosi dhe për 400 mijë euro të tjera, të cilat ende janë pa pronar.
Nënë e bir, u zbuluan fillimisht për vjedhjen e 120 mijë eurove e më pas nga vetë ata në përgjimet në dhomën e paraburgimit në Tiranë për shifrën e 400 mijë eurove dhe sendeve me vlerë të fshehura në tubin e aspiratorit. Por për këto 400 mijë euro, ende nuk ka një pronar, vetë Klosi ka deklaruar se shifra që ajo posedonte ishte 120 mijë euro. Në total, së bashku me sendet me vlerë dhe bizhuteritë kapin shifrën e 700 mijë eurove. Rozeta Dobi e pranishme ne seancë bashkë me të birin Havierin, por nuk ka pasur kërkesë për ndryshim mase.
Mësohet se Rozeta ka pranuar fajin për veprën penale, ndërsa ka pretenduar se është vetëm ajo përgjegjëse, duke u përpjekur për të lehtësuar pozitat e të birit. Pavarësisht pretendimeve të Havierit se nuk ka qenë i përfshirë për ngjarjen, pozitat e tij janë të rënduara pasi akuza ka pamje filmike që vërtetojnë se ai e ka pritur më shumë se 10 minuta në makinë jashtë pallatit të ëmën Rozeta, e cila mbështolli me batanije kasafortën që mori në shtëpinë e Alda Klosit dhe e çoi në shtëpinë e vetë. Po ashtu, pozitë rënduese për Havier Dobin janë edhe 50 mijë eurot që iu gjetën në brez gjatë momentit që policia e arrestoi.
Gjithçka nisi pas denoncimit për vjedhjen e banesës te “Rruga e Kosovarëve” nga zyrtarja shtetërore Alda Klosi, të cilët duket se zbulimi i vjedhjes së shtëpisë i ka sjellë edhe pasoja hetimore. 120 mijë euro u referua se janë vjedhur në shtëpinë se Alda Klosi, por shuma kap një vlerë shumë të lartë krahasuar me të ardhurat e saj si e punësuar në shtet dhe përse i mbante në banesë një shumë të tillë. Sipas skemës së zbuluar nga Policia, Rozeta e cila punonte si pastruese prej 20 vjetësh, në bashkëpunim me djalin e saj, vidhte të pasurit duke shfrytëzuar momentin kur pronarët nuk ndodheshin aty, përmes çelësit që kishte kopjuar. I biri i pastrueses reklamonte në rrjetet sociale jetën e tij të luksit, duke treguar para kesh, makina, varëse floriri e rroba të shtrenjta.