Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka zhvilluar një takim me ambasadorin britanik në Shqipëri Alastair King-Smith, në fokus të të cilit ishin zgjedhjet e 14 majit.
Celibashi shkruan në Facebook se me ambasadorin britanik kanë biseduar ndër të tjera për përgatitjet e procesit zgjedhor, verifikim e kandidatëve dhe transparencën e KQZ.
Celibashi shkruan gjithashtu se ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e vazhdueshme ndaj KQZ.
Postimi i Ilirjan Celibashit:
Zgjedhjet Vendore #14MAJ2023 në Shqipëri nën vëmendjen e duhur nga Mbretëria e Bashkuar.
Me Ambasadorin e British Embassy Tirana – SHTZ Alastair King-Smith patëm një bisedë mjaft konstruktive me fokus tek përgatitjet e procesit zgjedhor të ardhshëm dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për vendin.
Bashkëbiseduam mbi përgjegjshmërinë dhe transparencën e KQZ Shqiperi, procesin e verifikimit të kandidatëve, shmangien e përfshirjes së burimeve shtetërore në zgjedhje, rolin e medias në procesin zgjedhor, mbrojtjen e administratës nga influencimi i votës, si edhe mbrojtjen e të dhënave të zgjedhësve.
I theksova Ambasadorit King-Smith vijimin e propozimeve të KQZ ndaj Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Gjithashtu e falenderova Ambasadorin Britanik dhe Qeverinë e tij për ndihmën e vazhdueshme ndaj KQZ dhe dedikimin e tij për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare ndaj institucionit qendror të zgjedhjeve.