“Nuk ka parti më pro-amerikane se PD”, Meta: Parlamenti të përmbushë detyrimet e tij për aferën Rama-McGonigal siç bëri Kongresi në SHBA

Shqipëria

“Nuk ka parti më pro-amerikane se PD”, Meta: Parlamenti të përmbushë detyrimet e tij për aferën Rama-McGonigal siç bëri Kongresi në SHBA

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 19:04
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se kryeministri Edi Rama korruptoi zyrtarin e lartë të FBI-së për të goditur opozitën në Shqipëri.

Komentet Meta i bëri në RTSH, ku tha se Parlamenti në Shqipëri duhet të përmbushë detyrimet e veta për të hetuar aferën Rama-McGonigal, që sipas tij duhet të bëjë të njëjtën gjë që bëri Kongresi Amerikan.

Meta shtoi se nuk ka parti më pro-amerikane në Shqipëri se Partia Demokratike dhe sipas tij shpallja “non grata” e Berishës është vepër e kryeministrit Edi Rama dhe njerëzve të tij.

“S’ka inceneratorë sipas kontratës me kompanitë offshore. Atje ka vetëm groposje primitive. Ka një kompani të lidhur me Ramën, pasi do të ishte ndalur pagesa për këtë kompani. Manifestimi apo protesta e 11 shkurtit është në planin e opozitës për të vendosur para përgjegjësisë një qeveri që ka përgjegjësi të jashtëzakonshme morale e penale.

Shoh një bësim të qartë të të gjithë atyre që dëshirojnë të besojnë një opozitë të vërtetë përballë Edi Ramës. Opozita ka figura të reja sat ë duash. Figurë më të re se Këlliçi në Tiranë nuk ke ku gjen. Ai dëshiron t’i shërbejë komunitetit dhe është gati të lërë mandatin e tij të deputetit. Figurë e re është edhe Luçiano Boçi në Elbasan, Igli Cara në Durrës, që padiskutim që do të fitojnë.

Zgjedhjet Parlamentare do të jenë shumë më shpejt nga sa mendohet dhe parashikohet. Çdo politikan që ka ndjenjën e përgjegjësisë, në një moment kur bëhet pengesë për vendin, atëherë kur duhet të sqarosh një akuzë, padiskutim që duhet të ishte tërhequr me kohë. Por ne kemi të bëjmë me një njeri që e ka ndërtuar autoritetin e vetë mbi ndienjën e pushtetit. Kemi të bëjmë me rastin e një kryeministri, që ka shkelur qartë Kushtetutën, që bëhet e ditur nga vetë aktakuzat nga SHBA. Sipas aktakuzës, kemi të bëjmë një njeri që ka kompromentuar një zyrtarë të lartë të FBI-së për të goditur opozitën.

A iku njëherë Berisha? Ai iku njëherë dhe e kërkuan prapë. Ai nuk po kandidon në SHBA që të përbëjë problem “non grata” e tij. Më “non grata” se Rama nuk ka. E ka akoma të hapur problemin për 80 mijë dollarët e paguara për pagesën për takimin me Obamën. Kjo është një histori që ka përfunduar. Në 14 maj kemi Belin Këlliçin në Tiranë, Boçin në Elbasan dhe Igli Carën në Durrës. Figura më të mira nuk kemi. Unë e kam politikën e qartë në raport me vendin tim, kam një raport shumë të qartë me SHBA-të. Koalicionin me PD-në ne e bëjmë në interes të vendit. Nuk është hera e parë që kemi qenë në një koalicion me PD-në dhe i kemi përmbushur pritshmëritë. Nuk ka parti më pro-amerikane në Shqipëri sesa PD, që nga krijimi i saj deri tani. PD është një aset kombëtar, një parti që nuk zhduket dot nga harta politike e Shqipërisë dhe që ka hedhur bazat e miqësisë me SHBA-të.

Opozita do të insistojë që Parlamenti të përmbushë detyrimet e tij për çështjen McGonigal. Ashtu siç po e bën Kongresi Amerikan. Për ne është shumë më e rëndë sesa u ka ndodhur atyre. Ky nuk i shmanget dot përgjegjësive për t’u hetuar nga Parlamenti. Nga SPAK nuk kemi shumë pritshmëri, sepse ka pasur shumë çështje të tjera si Port ii Durrësit që nuk janë nisur hetimet. Nëse kryeministri ka fakte për opozitën e vendit të tij, ndjek rrugën normale, rrugën zyrtare, por jo të përdorësh e të korruptosh zyrtarë të lartë të një vendi partner si SHBA-ja për të goditur opozitën. Këto i di e gjithë bota. Tani ka dalë edhe tek Mother Jones, që ka qenë revista e preferuar e Ramës për të goditur opozitën. Po të kishin pasur besim ndërkombëtarët te Rama, do të ishin çelur negociatat më herët dhe do ishim antarësuar në BE”, u shpreh Meta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat