Skenari i protestës - “Blindohet” parlamenti, kjo pritet të jetë lëvizja e Berishës

Shqipëria

Skenari i protestës - “Blindohet” parlamenti, kjo pritet të jetë lëvizja e Berishës

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 09:03 Përditësuar në ora: 12:55 më 11.02.2023
Pamje nga protesta në Shqipëri

Opozita në protestë, ja mesazhi që jep Rama

Ndërsa opozita pritet të protestojë në Bulevard, para godinës së Kryeministrisë, kreu i qeverisë, shfaqet ndryshe nga cdo dalje e tij publike.

Rama ka postuar një video në facebook ku shihet teksa punon vazo balte.

“Ai momenti kur njëri thotë varja se u pre rruga dhe tjetri thotë jo, sapo u hap një rrugë e re” shkruan Rama bashkëngjitur videos.

Qytetarët tashmë janë mbedhur pranë Kryeministrisë ku edhe pritet të nisë protesta.

https://www.youtube.com/watch?v=7e1KbYZFMDA

Big Brother Vip “infekton” protestën e Berishës, ja çfarë është shfaqur në mes të sheshit

Të shumtë janë protestuesit të cilët janë mbledhur ditën e sotme para selisë blu për protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Me flamuj të Partisë Demokratike, flamurin e Shqipërisë dhe të SHBA-ve, protestuesit kanë përzgjedhur dhe një tjetër banderolë.

Një grup të rinjsh shfaqen teksa në duar mbajnë një banderolë ku shkruhet:

Burg Brother Vip.

Protesta e opozitës, policia shqiptare e përgatitur për çdo skenar

Policia e Shtetit e Shqipërisë ka vendosur në dispozicion të mbarëvajtjes së protestës rreth 1500 efektivë të forcave të policisë.

Raportohet se një pjesë e madhe e forcave të rendit është vendosur në ambientet mbrapa kryeministrisë.

Në terren janë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat RENEA, të cilat do të ndërhyjnë nëse do të ketë incidente gjatë tubimit të opozitës.

Policia ka vendosur shërbime civile në mbrojtje të liderëve të opozitës. Nuk ka informacione për skenare të dhunës por thuhet se policia është e përgatitur për çdo skenar.

Kreu i PL-së Ilir Meta ndodhet që prej orës 8 të mëngjesit në zyrën e tij, në selinë e Partisë së Lirisë dhe do të niset në orën 12:00 me mbështetësit drejt kryeministrisë ku do të mbahet dhe protesta.

E njëjta gjë do të bëhet dhe nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili do të niset me mbështetësit e djathtë nga selia e PD-së drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Zbardhet skenari, ja ku do të mblidhen dhe si priten të organizohen protestuesit

Zbardhet skenari se si do të organizohet protesta e sotme e opozitës.

Gazetari Osman Stafa tha se protestuesit do të ndahen në disa pika të kryeqytetit.

Mësohet se një pjesë tyre do të mblidhet në sheshin Skënderbej dhe një pjesë te Nënë Tereza.

Ndërkohë që pas daljes së kryedemokratit Sali Berisha nga selia e PD-së, ai do të marshojë drejt bulevardit bashke me demokratët, duke iu bashkangjitur turmës dhe më pas do të stacionohen para Kryeministrisë.

Protesta pritet të nisë në orën 12:00.

Që nga Fieri, Berati, Korça e Vlora, qytetarët nisen drejt kryeqytetit për protestën e opozitës

Simpatizantë dhe anëtarë të degës së PD në Fier janë nisur drejt Tiranës për të protestuar para Kryeministrisë.

Sipas asaj që raportohet në media rreth 800 demokratë po vijnë drejt kryeqytetit me automjetet e tyre.

Gjithashtu bëhet me dije se edhe qytetarë nga Vlora do t’i bashkohen protestës që do të zhvillohet në orën 12:00.

Klodian Xhyheri, Sekretari Politik i degës së PD-së në Vlorë, është shprehur se strukturat janë organizuar.

250 automjete dhe mbi 870 persona do të zbarkojnë në kryeqytet.

“Janë nisur rreth 250 makina dhe mbi 870 persona të regjistruar nga strukturat tona dhe nga ne si degë, - tha ai, - e kemi organizuar me mjete të vogla, pasi është e pamundur të shkohet në orar me mjete më të mëdha siç janë autobusët apo furgonët, me mendimin se kjo është gjëja e duhur.”

Rreth 1000 protestues nga opozita e qarkut të Beratit janë nisur drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së sotme të opozitës.

Protestës së opozitës sot do i bashkohen edhe qytetarë nga Korça, Pogradeci  dhe nga Devolli.

Mbi 400 persona me 55 mjete te vogla dhe 3 autobusë janë drejtuar drejt kryeqytetit për të protestuar.

Rreth 1000 qytetarë nga rrethi i Krujës do t'i bashkohen gjithashtu protestës së opozitës, po ashtu edhe simpatizantë nga Elbasani.

Ndërsa nga Saranda bëhet me dije se rreth 100 demokratë të Sarandës, Konispolit dhe Finiqit, do të jenë sot në Tiranë për të protestuar para Kryeministrisë.

“Shqipëria po marshon drejt Tiranës”, mesazhi i Berishës para protestës kundër qeverisë

Dy orë para protestës së opozitës kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë një tjetër thirrje qytetarëve që të marrin pjesë, duke u shprehur se Shqipëria marshon sot drejt Tiranës.

“Shqipëria po marshon drejt Tiranës! Tirana vërshon sot në rrugët dhe sheshet e saj! Rroftë Revolucioni Demokratik! #sb”, shkruan Berisha.

Kujtojmë se protesta pritet të nisë në orën 12:00.”

PD proteston sot kundër qeverisë pasi e akuzon Kryeministrin Edi Rama për çështjen “McGonigal”. Tubimi dozhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që nis në orën 12:00.

Vetëm pak orë para protestës së opozitës, ja çfarë po ndodh tek Kryeministria

Ka nisur organizimi i protestës së thirrur nga lideri i PD, Sali Berisha ditën e sotme (11 shkurt) përballë Kryeministrisë.

Siç shihet në pamjet e siguruara nga Panorama, ka nisur ngritja e podiumit përpara zyrës së kryeministrit Rama.

Ndërkohë kanë mbërritur edhe forcat e para të policisë, që ndodhen tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë ditës së djeshme (10 shkurt) janë blinduar edhe dyert e Kryeministrisë.

Sa do të zgjasë protesta? Mbi 1000 efektivë në terren, ja rrugët që do të bllokohen sot nga ora 10:00

Opozita do të zbresë sot, në orën 12:00 në shesh për të protestuar para Kryeministrisë. Mësohet se në terren do të jenë 1500 efektivë që pritet të sigurojnë mbarëvajtjen e protestës.

Policia e Shtetit ka marrë masat dhe ka njoftuar segmentet që do të jenë të bllokuara për qytetarët dhe mjetet.

Duke filluar nga ora 10:00 e datës 11.02.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D'Ark" dhe bulevardi "Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.

Opozita sot në protestë: Nga ‘McGonigal’, tek kërkesa për dorëheqjen e Ramës

Mbahet sot protesta e opozitës. Partia Demokratike, e mbështetur nga aleati i saj Partia e Lirisë ka thirrur shqiptarët sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 12:00 për të protestuar kundër qeverisë ‘Rama’. Ishte kryetari i PD-së, Sali Berisha ai që e njoftoi mbajtjen e kësaj proteste, ndërsa data u vendos pas konsultimit të tij me grupin parlamentar, ndërkohë që u përkrah dhe nga aleatët e tij.

Berisha tha se kjo do të jetë një protestë kundër Ramës, duke e cilësuar një revolucion demokratik që do të çojë sipas tij drejt dorëheqjes së kryeministrit.

Aksioni opozitar për këtë protestë erdhi pas zhvillimeve të fundit politike në vend dhe botë, sa i takon çështjes McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Rama. Javët e fundit debatet në Kuvend kanë qenë të ashpra, gjë që ka sjell dhe përjashtimin e 11 deputetëve të PD nga seancat plenare. Nga ato çka u transmetuan dje, mësohet se në protestë do të ketë fjalime nga figura politike të opozitës, ashtu si për çdo herë, por edhe mesazhe nga pjesëmarrësit dhe simpatizantët e tyre. Një tjetër të veçantë që prite të ketë kjo protestë është fakti se grupi i Alibeajt do t’i bashkohen kolegëve të tyre. Ky fakt u konfirmua nga deputeti Gazment Bardhi gjatë një bisede televizive. Dje në një konferencë për mediat Berisha iu bëri thirrje policisë dhe SHISH që të kenë kujdes qytetarët, pasi nëse dikush prej tyre do të lëndohet, do të quhet i persekutuar politik, ndërsa shtoi se persekutorët do përgjigjen edhe pas 30 vitesh.

“Paralajmëroj policinë që të mbajë qëndrimin korret. Çdo protestues i lënduar do konsiderohet i persekutuar politik. Persekutori do përgjigjet dhe pas 30 vitesh."

Sakaq protesta e opozitës ka vënë në lëvizje policinë, e cila më herët njoftoi se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat