Tensione në Shqipëri, Berisha përmend video erotike

Shqipëria

Tensione në Shqipëri, Berisha përmend video erotike

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 16:52 Përditësuar në ora: 19:47 më 13.02.2023
Sali Berisha

Merr fund protesta e opozitës, Berisha: Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga parlamenti

Ish-kryeministri Sali Berisha, pas fjalës në kuvend dhe për mediat jashtë godinës së kuvendit, ka mbajtur një fjalim edhe para protestuesve që ishin mbledhur prej gati 23 orësh.

Berisha u shpreh se ata po mbrojnë një kauzë të drejtë.

Ai po ashtu shtoi se prania e protestuesve aty i detyroi deputetët të largohen nga parlamenti.

“Së pari, dua të ju falënderoj në mënyrën më të përzemërt, mirënjohje më të thellë. Prania juaj këtu ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme, për ne, për demokratët shqiptarë kudo që ndodhen. Ne po mbrojmë një kauzë të drejtë. Sot parlamenti shqiptar ju e patë vetë, u dominua totalisht nga fantazma e McGonigal të Edi Ramës. Ajo që Rama kishte planifikuar, kishte planifikuar në mënyrë që të shpëtonte vetë dhe disa deputete ishin ndjerë të lënduara se, pse unë kisha thënë ditën e premte pse ai kishte bërë orgjira me zyrtarë”.

“Por unë çfarë u thashë? Unë u thashë se, ato janë një realitet dhe sigurisht hetimit do ti jepen. Por ato janë terciare. Kryesore është lidhja e dy tradhtarëve McGonigal, tradhtar i kombit të madh amerikan dhe Edi Rama, tradhtar i kombit shqiptar.”

“Tani, çështja numër 1 e parlamentit padiskutim që është komisioni hetimor parlament për një problem që ka tronditur botën, Amerikën, Shqipërinë, NATO-n dhe mbarë botën e lirë.
Është në përcaktimin tonë, vendosmërinë tonë, që ky parlament ose do të ju japë zgjidhje këtyre problemeve ose nuk do të mund të trajtojë çështje tjetër.”

“Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga parlamenti. Por herën tjetër, do të duhet tu marrin leje ju për tu larguar nga parlamenti. Ndaj ju them, më mirë zbatoni rregullat, ligjet, respektoni të drejtat e opozitës. Janë 750 mijë zgjedhës, të drejtat e të cilëve shtypen në parlament. Ne kurrë nuk do të tolerojmë këtë. Rroftë revolucioni, rroftë opozita, rrofshi ju”, u shpreh Berisha.

Përplasjet para Kuvendit në Tiranë, 3 efektivë të lënduar, shoqërohen dy protestues.

Tre efektivë policie kanë mbetur të dëmtuar pas protestës që u zhvillua ditën e sotme para Kuvendit të Shqipërisë.

Bëhet me dije se  një prej policëve është dëmtuar në këmbë, një në dorë dhe tjetri në sy. Fatmirësisht, të tre ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore,pasi kanë marrë lëndimë të lehta.

Ndërkohë raportohet se dy persona janë shoqëruar në Komisariatin nr.1 të Tiranës, pasi hodhën mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë.

Teksa protesta po zhvillohej, në oborrin e Kuvendit u shtuan forcat policore dhe ato speciale në gatishmëri për çdo rast. Në oborr ishte vendosur dhe një makinë me ujë.

Berisha nga “selia blu”: Parlamenti dëshmoi çfarë përfaqëson, beteja do të vazhdojë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat pasi ka mbërritur në “selinë blu” pasi mbylli protestën.

Berisha u shpreh se sot parlamenti dëshmoi se çfarë përfaqëson duke shtuar se kjo betejë do të vazhdojë deri në fitoren e plotë të revolucionit demokratik.

“Parlamenti dëshmoi se çfarë përfaqëson sonte.

U detyruan të lënë parlamentin dhe të largohen, sepse e vërteta është se janë shumë më afër me bandat dhe krimin se sa me tempullin e demokracisë.

Kjo betejë do të vazhdojë, do të vazhdojë deri në fitoren e plotë të revolucionit demokratik, mbi monizmin e bazuar në krimin, drogën, e Edi Ramës.

Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”, u shpreh Berisha.

Protesta vazhdon, Sali Berisha përmend video erotike: Do ua jap organeve hetimore

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka përmendur sonte disa video erotike që ka në celular që implikon zyrtarët e qeverisë shqiptare, por të cilat deklaroi se nuk do t’i publikojë asnjë.

Ai tha se do i dërgojë ato para organeve hetimore. Berisha tutje u shpreh se nuk fyen kurrë një grua pasi nuk mund të sillet ndaj tyre ashtu siç tha, bën Edi Rama.

”Kemi të bëjmë me një agjent shumë të rrezikshëm, një tradhtar të SHBA, një armik të egër të opozitës dhe demokracisë shqiptare. Në këtë rast, çdo dokument që unë disponoj dhe do të disponoj, do t’i dorëzoj në organet kompetente hetimore”.

”Por, përsëri kureshtjen tuaj për skena dhe për gjëra, mos kujtoni se ua plotësoj unë, kurrë. Unë kam një censurë të plotë për çdo video, mesazhi erotik që vjen për t’u publikuar, nuk ndodh ajo”.

”Po ku shkoi ajo. Pse çfarë mendon ti, se do të them unë fjalët që thotë kryetari jot, mos e prit atë ndonjëherë. Jam Sali Berisha unë, nuk jam Edi Rama që ndal gratë sa herë shkon në fushatë elektorale. Nuk e bëj unë atë”.

”Nuk jam unë, ai që e di se ç’heqin ministret në mbledhjet e qeverisë me fjalorin prej rrugaçi që përdor dhe fjalorin. Kurrë mos i kërko tek unë”.

”Jam i detyruar të respektoj, pavarësisht se e dua apo nuk e dua, unë nuk mund të fyej publikisht një grua. Nuk dëgjova asnjë, përmenda emra unë aty. Asnjë emër. Po pse u djeg kjo gjë. Çfarë ndodh me këtë. Pse me këtë kërkoni të mbuloni ju marrëdhënien sekrete të Edi Ramës me McGonigal. Nuk mbulohet me këto. Është e turpshme. Jeni jashtëzakonisht të keqorientuara.”, tha Berisha.

Protesta e opozitës pranë Kuvendit, tubimit i bashkohet edhe Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta i është bashkuar protestës së thirrur nga opozita pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo protestë vjen si pasojë e përjashtimit të deputetëve të opozitës nga seanca parlamentare, pasi ata kërkuan interpelancë me kryeministrin në lidhje me çështjen McGonigal.

Kjo është protesta e dytë që zhvillon opozita në këtë muaj pas asaj të 11 shkurtit.

Këto protesta kanë nisur pas skandalit të çështjes “McGonigal”, në të cilën u përmend edhe emri i kryeministrit Rama.

​Tensione para Kuvendit në Shqipëri, protestuesit përplasen me policinë

Është tensionuar situata në hyrje të Parlamentit. Protestuesit, të cilëve iu janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, ndërsa më pas kanë nisur të hedhin tymuese.

Ndërkohë, mësohet se një efektiv policie është lënduar.

Protestuesit janë mbledhur këtë të hënë përballë parlamentit, aty ku ishte parashikuar të mbahej seanca plenare. Megjithatë, ajo është ndërprerë, pasi për shkak të një defekti ka ikur energjia në sallën e Kuvendit.

Deputeti Luçiano Boçi pretendon se masa që u mor nga Këshilli i Etikës për përjashtimin me 10 ditë të 8 deputetëve opozitarë ishte disiplinore dhe jo ndaluese.

Sipas Boçit, në këto 10 ditë përjashtim deputeti nuk merr pagën dhe nuk lejohet të kërkojë fjalë, por mund të ndjekë punimet e kuvendit.

Ai shtoi se tashmë parlamenti është policor dhe ka si qëllim të dënojë opozitën. “Masa ndaj nesh është disiplinore dhe jo ndaluese. Nuk merr pagën dhe nuk i konsiderohet aktiviteti parlamentar. Sipas logjikës së tyre duhet të mos takojmë as njerëzit. Nuk ka ndalim fizik. Unë nuk kam të drejtë të kërkoj fjalën për procedurë dhe të jap mendime në këto 10 ditë. Deputetët mund të ndjekin seancën. Nëse e thyen disiplinën, ka masë tjetër ndaj deputetit. Vendimi për përjashtimin tonë u mor në shkelje. Ky është një parlament policor, ka vrarë fjalën e lirë që synon të dënojë opozitën. Nuk ndodh në asnjë parlament që të përjashtohen 8 deputetë”, tha Boçi.

Protesta e opozitës/ Nis përplasja! Protestuesit hedhin shashka dhe tentojnë të çajnë kordonin policor

Ka pasur momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestës së sotme të organizuar nga opozita, ku janë kundërshtuar forcat e rendit që ndodhen në kordonin e parë, të cilët janë qëlluar me mjete piroteknike, shashka dhe kapsollë.

Ende nuk ka informacion për të lënduar,  megjithatë disa nga punonjësit e rendit kanë pasur lot dhe janë detyruar të largohen.

Janë forcat e gardës së Republikës që [o qëndrojnë në afërsi të parlamentit ndërsa kapsollat vazhdojnë të hidhen dhe forcat e policisë vijojnë të bëjnë rezistencë pavarësisht se po shtyhen nga protestuesit.

Protestuesit synojnë të hyjnë në ambientet brendshme të parlamentit, ndërsa kordoni nga ana e policisë është krijuar 30-50 metra larg hyrjes së Kuvendit.

Protesta e opozitës, ndërpritet energjia elektrike brenda sallës së Kuvendit

Energjia elektrike është ndërprerë në brendësi të sallës së Kuvendit vetëm pesë minuta pasi seanca kishte nisur, teksa jashtë opozita po zhvillon protestë.

Deputetët vijojnë të qëndrojnë të ulur në vendet e tyre, pavarësisht mungesës së energjisë elektrike.

Ende nuk ka informacion nëse brenda sallës së seancave plenare, është ndërprerë energjia në mënyrë të qëllimshme.

Protesta e Berishës/ Deputetët e përjashtuar nuk lejohen në Kuvend: Hapeni rrugën, ne ju përfaqësojmë

Ka nisur pranë Kuvendit protesta e udhëhequr nga lideri opozitar Sali Berisha, i cili po shoqërohet edhe nga deputetët që janë përjashtuar nga Komisioni i Etikës. 

Protesta e ditës së sotme do jetë një ndërthurje mes protestës që do bëjnë deputetët brenda Kuvendit, dhe ata që janë përjashtuar nga punimet e parlamentit, te cilët do të protestojnë jashtë godinës së bashku me mbështetësit.

Kjo protestë nuk do të jetë e vetmja, pasi Berisha paralajmëroi një valë protestash të shtunën.

Policia ka shtuar perimetrin e sigurisë pranë Kuvendit për të shmangur incidentet e mundshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat