“Rama ka blerë arbitrin ndërkombëtar”, Lubonja për rastin “McGonigal”: Opozitës i mbetet vetëm të protestojë paqësisht

Shqipëria

“Rama ka blerë arbitrin ndërkombëtar”, Lubonja për rastin “McGonigal”: Opozitës i mbetet vetëm të protestojë paqësisht

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 00:21
Analisti Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja me anë të një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me rastin “McGonigal” dhe lidhjen e kryeministrit Rama me të.

Sipas tij Rama ka neutralizuar arbitrin ndërkombëtar duke korruptuar palën amerikane, ndërsa shtoi se opozitës i mbetet vetëm të protestojë paqësisht sepse kanë frikën e ndërkombëtarëve.

“Unë desha ta shpreh thelbin duke cituar një ekspert në shkrimin e Washington Post. Ai përmendte edhe reformën në drejtësi dhe tha se në vendet e Ballkanit vijnë shumë nga këta të huajt, por ajo që ndodh është se në vend që të luftojnë për të ndërtuar shtetin e së drejtës bëhen pjesë e lojës.

Kjo që ka bërë Rama është të neutralizojë arbitrin ndërkombëtar duke e blerë e duke e korruptuar. Heshtja e Yuri Kim është skandaloze. Nuk e di çfarë korruptimi ka përdorur. Ne çfarë na ngelet. Në vend i ka të gjitha institucionet, opozitës i ngelet protesta paqësore sepse ka frikë ndërkombëtarët.

Përdoret fjala revolucion, por për mendimin tim Shqipëria si është katandisur ka vërtet nevojë për një revolucion, po jo të heqë Ramën por të rregullojë gjithçka e çdo institucion, krimin e organizuar ta luftojë, etj. E vetmja shpresë është një revolucion nga shqiptarët që më duket me pak gjasa ose të shkëputet kredibiliteti që ka krijuar Rama, të ketë një goditje që ta braktisin amerikanët. Opozita duhet të jetë më e fortë, të protestojë edhe te ambasada amerikane. Ai ble ca njerëz dhe mjafton t’i kthejë amerikanët të bëhen palë. Nuk ka ndodhur vetëm këtu, është bërë stil kjo punë. Si Katargate, ku paguheshin zyrtarët e lartë evropianë. Politikanët sot përdorin pushtetin për të fituar dhe Rama e ka shfrytëzuar këtë në mënyrë inteligjente dhe të paturpshme, por në botë ka shumë të paturpshëm, nuk janë këta perëndimorët të kulluar”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat