Krim i rëndë në familjen shqiptare, babai vret djalin

Shqipëria

Krim i rëndë në familjen shqiptare, babai vret djalin

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 10:29 Përditësuar në ora: 11:23 më 18.02.2023
Foto ilustrim

Dalin fotot e autorit dhe viktimës/ “S’doja ta vrisja”, zbardhet dëshmia e 77-vjeçarit që masakroi të birin me çekiç

Zbardhet dëshmia e Shefki Bylykbashit, autor i dyshuar i vrasjes së të birit, Hambi Bylykbashi në fshatin Zvezdë të Maliqit. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme pas një konflikti të 77-vjeçarit me të birin, i cili sipas dëshmive ishte në gjendje të dehur.

Burime nga policia bëjnë të ditur se Sheflki Bylykbashi ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me të birin. Por sipas tij, fakti që 50-vjeçari vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, ka bërë që të konfliktoheshin ditën e djeshme.

“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte çdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më”, ishin fjalët që 77-vjeçari ka thënë në polici.

Fillimisht, u raportua se ngjarja ishte aksidentale dhe se 50-vjeçari ishte rrëzuar nga banesa, pasi ishte në gjendje të dehur, por më pas u zbulua se ai u vra nga i ati, pasi ky i fundit e goditi me çekiç.

50-vjeçari, baba i tre fëmijëve ishte kthyer së fundmi nga Gjermania. Mësohet se viktima ishte i divorcuar nga bashkëshortja.

Krim i rëndë në familjen shqiptare, babai vret djalin

U raportua fillimisht si ngjarje aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Zvezdë, ku humbi jetën 50-vjeçari H. B.

Vihet në pranga babai i viktimës, autor i dyshuar i vrasjes (me sende të forta) të djalit të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi H. B., 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në spital dhe në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Pas hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatin e Policisë Maliq dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain Sh. B., 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat