Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka i referohet shkrimit të revistës amerikane, “Rolling Stone”, e cila një ditë më parë i kushtoi një artikull skandalit të McGonigal me titull “Kush e korruptoi agjentin e FBI-së”.
Me anë të një postimi në Facebook, Noka teksa citon revistën thotë se “kundërzbuluesi i FBI-së Charles McGonigal u pagua rreth një çerek milioni dollarë në Shqipëri, përfshirë 80 mijë dollarë që iu dhanë në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork”.
Noka thotë pavarësisht bujës së mediave botërore për takimet sekrete të Ramës me ish agjentin e FBI-së, nuk e ka ndryshuar programacionin e ekraneve shqiptare, që sipas tij shfaqin kasete të gatshme të partisë së propagandës.
Reagimi i Nokës
Kush e korruptoi agjentin e FBI-së?
Ky është titulli i revistës amerikane me famë botërore “Rolling Stone”, që shkruan se kundërzbuluesi i FBI-së Charles McGonigal u pagua rreth një çerek milioni dollarë në Shqipëri, përfshirë 80 mijë dollarë që iu dhanë në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork.
“Një stil tipik kapobande”, e përshkruan Rolling Stone.
Buja botërore mediatike e turit të takimeve sekrete mes agjentit të korruptuar të FBI-së dhe kryeministrit të Shqipërisë nuk e ka ndryshuar programacionin e ekraneve shqiptare, të cilat vazhdojnë në shumicë të shfaqin kasetat e gatshme të partisë së propagandës.