Është lënë në burg 77-vjeçari Shefki Bylykbashi pasi vrau djalin e tij me çekiç, 50-vjeçarin Hamdi Bylykbashin. 77-vjeçari doli sot para gjykatës ku ndaj tij u vendos masa “arrest në burg”.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në fshatin Zevdë. Ndërkohë në seancën e zhvilluar në gjykatë ai u shfaq tensionuar dhe kokëulur. Në sallë ai u dëgjua teksa tha se është në gjendje të mbaruar.
“Çfarë doni. Jam i mbaruar nga trutë”, ka thënë ai. Ndërkohë në sallë ishin të pranishëm edhe familjarë të tij.
Si u fsheh ngjarja
Ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor u zbulua se Shefki Bylykbashi vrau djalin e tij Hamdi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.
Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë. Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain, të cilin ka dashur ta hedhë në pusin e ujit në oborr.
Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, i biri ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës. Shefki Bylykbashi, akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.